Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot në Komisionin e Bujqësisë se programi IPARD III, i pezulluar që nga viti 2023, pritet të rihapet gjatë vitit 2026.
Sipas Malajt, qeveria shqiptare po përmbush masat e kërkuara nga Komisioni Europian pas parregullsive të konstatuara në fazën e dytë të programit. Fondet do të zhbllokohen pasi të përfundojë vlerësimi nga DG Agri.
“IPARD ka dhënë rezultate pozitive, dhe rihapja e tij do të sjellë mbështetje të rëndësishme për bujqësinë shqiptare”, tha Malaj, duke theksuar edhe bashkëpunimin me ministrinë e linjës për detaje shtesë mbi hapjen e programit.
Programi ishte pezulluar pas parregullsive dhe keqpërdorimesh të evidentuara nga Komisioni Europian në korrik 2023. Ndërkohë, mbështetja për fermerët e IPARD II, për periudhën 2014-2022, ka përfunduar dhe ka kapur 94 milionë euro.
Mungesën e mbështetjes IPARD e ka kompensuar buxheti i shtetit përmes Skemës së Investimeve dhe subvencioneve kombëtare për bujqësi dhe blegtori.
Ekspertët vënë në dukje se sektori bujqësor, që përbën rreth 15% të ekonomisë, mbetet i sfiduar nga copëzimi i tokës, mungesa e mekanizimit, fragmentimi i tregut dhe emigrimi i popullsisë rurale.
