Rrjeti i supermarketeve “Diambe” në qytetin e Durrësit ka shitur për qytetarët çokollata me insekte. Çokollata “Talarki Money Euro” 100 g, që në dukje ka pamjen e monedhave europiane, në cilësi nuk është e tillë dhe këtë e konstatojnë insektet që janë brenda saj.
AKU, pasi ka realizuar inspektimin në magazinën e supermarketit “Diambe” në Katund të Ri të Durrësit, përveçse bllokimit, ka dërguar katër kampione të kësaj çokollate për analiza laboratorike pranë ISUV, për të mësuar më tepër mbi ngarkesën mikrobiologjike të saj.
Polikesen Drazho i AKU-s u shpreh: “Në këtë rast është konstatuar një sasi çokollate që u denoncua për prani të krimbave, ky është një tregues fizik. Sasia e importuar është 2208 copë produkt, e importuar nga Polonia. Aktualisht nga AKU, ku është bërë verifikimi, është bërë edhe gjurmueshmëria dhe është vajtur në markete të tjera po të të njëjtit zinxhir; janë bllokuar 94 copë të produktit.”
Top Channel, nëpërmjet dokumenteve të inspektimit të AKU, mëson se çokollata si vend origjinë ka shtetin polak dhe importuesi i saj është vetë supermarketi Diambe, i cili në vitin 2024 ka futur në Shqipëri 2208 copë çokollata. Kushtet jo të mira të ruajtjes kanë bërë që në këtë çokollatë, brenda saj, të rriten insekte të dëmshme.
“Një nga kushtet e ruajtjes është një nga arsyet kryesore, sepse çokollata si produkt ka përmbajtje të lartë sheqeri dhe këto gjejnë terren nëse mbahen në ambient me lagështi apo në kushte të dobëta higjeno-sanitare”, thotë Polikesen Drazho i AKU-së. m.p.
