Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Numërimi i votave në Mitrovicë është ndalur, ndërsa Policia dhe Prokuroria janë futur në qendrën e numërimit ku po zhvillohej procesi.
Lajmi është raportuar fillimisht nga mediumi lokal Mitropol dhe është konfirmuar për Albanian Post nga burime brenda Policisë së Mitrovicës.
Redaksia e Albanian Post ka kontaktuar edhe Prokurorinë për detaje shtesë dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbajt dje në 12 komuna të Kosovës, përfshirë edhe Mitrovicën, ku gara ishte mes kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, dhe kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.
Ndërkohë, para disa orësh, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, kishte reaguar ashpër, duke akuzuar qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për manipulime masive në procesin zgjedhor në Mitrovicë.
“Në Mitrovicë, Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës e kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës. Në pothuajse çdo vendvotim janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt, një shenjë e qartë e trafikimit të fletëvotimeve”, shkroi Behrami, duke kërkuar hetim ndërkombëtar dhe monitorim të procesit të numërimit.
