Një studim i fundit nga Universiteti i Exeter në Britaninë e Madhe ka treguar se njerëzit që jetojnë afër zonave të gjelbra kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni, ankthi dhe lodhja kronike. Shkencëtarët analizuan më shumë se 20 mijë persona për 5 vite dhe zbuluan se kontakti i rregullt me natyrën ndikon pozitivisht në funksionimin e trurit dhe redukton nivelin e kortizolit – hormonit të stresit.
Të qëndruarit në ambiente me gjelbërim, qoftë edhe për 20 minuta në ditë, përmirëson ndjeshëm gjumin dhe sistemin imunitar. Ekspertët theksojnë se kjo lidhet me ajrin më të pastër, dritën natyrale dhe efektin qetësues që ka tingulli i natyrës në sistemin nervor.
Prandaj, mjekët e quajnë “terapi natyrore” shëtitjen në park apo në male, duke e konsideruar si një nga mënyrat më efektive për të luftuar stresin modern./KM
