Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, socialistja Majlinda Bufi është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për një episod të regjistruar në para zgjedhjeve të 14 Majit 2023, ku ajo është kapur duke i bërë presion një qytetari që të mos dilte familjarisht në votime.
SPAK thotë se më datë 6.5.2023, në orën 14:04, është publikuar në media artikulli me titull “Mos guxo të votosh – Publikohet audio përgjimi tjetër skandaloz i kryebashkiakes së Roskovecit”.
Transkripti i këtij regjistrimi tregon se e pandehura Majlinda Bufi shfaqet e revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë “Përmirësimi i Kushteve të banimit për familjet e varfëra dhe të pafavorizuara”, i miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 40 datë 01.3.2022.
Hetimet konstatuan se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i saponisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë.
Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se e pandehura kishte dijeni për përfshirjen e tij në program.
Nga hetimi rezultoi se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, para zgjedhjeve të datës 14 Maj 2023, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së Bashkia, Roskovec, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.
Më pas, rezulton se shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e Bashkisë me të pandehurën, Majlinda Bufi.
Biseda është zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se shtetasi G.B kishte kryer ndërtim pa leje. Ndër të tjera në këtë takim, kryetarja Majlinda Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku shtetasi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës.
Majlinda Bufi me pretendimin për të “shpëtuar” shtetasin G.B nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: “që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapi gojë, të mos flasë as ai as familja e tij por të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023.”
Kërkesa e të pandehurës Majlinda Bufi drejtuar shtetasit G.B është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Ai ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 Maj 2023, sikurse ka qenë vullneti i tij. m.p.
