Last Updated on 15/11/2025 by EL
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, tha se ka folur personalisht me Armando Borojën dhe me gjithë skuadrën, pas sjelljes së tij në përfundim të ndeshjes Andorra-Shqipëri, ku sulmuesi duhet të merrej me zor nga Hysaj për të festuar me shokët kualifikimin për në playoff-et e Kupës së Botës.
“Po, fola me të. Fola edhe me grupin. E kemi zgjidhur, nuk ka probleme. Por sigurisht që fola me të. Ishte pak i zhgënjyer, por tani kjo ka kaluar”, tha Sylvinho në një konferencë për mediat para ndeshjes Angli-Shqipëri, në program për të dielën në orën 18:00 në Tiranë.
Sa i përket Anglisë, Sylvinho tha se nuk ka vend për shumë iluzione, pasi është një prej skuadrave favorite për të fituar Kupën e Botës. “Janë komplet nivel tjetër. Mos e ngatërroni me ekipin tonë. Është ndeshje shumë e vështirë. Tuchel është një trajner i madh. Ai ka lojtarë të mëdhenj në skuadër. Nuk kanë pësuar asnjë gol në kualifikuese”, shtoi Sylvinho./e.t
