Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të presë sot në Shtëpinë e Bardhë, futbollistin portugez Cristiano Ronaldo.
Takimi vjen vetëm disa muaj para fillimit të Kupës së Botës, e cila do të mbahet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Ndërkohë, thuhet se Portugalia ka planifikuar një ndeshje miqësore kundër ekipit kombëtar të meshkujve të Shteteve të Bashkuara gjatë muajit marsi.
Dëshira e Ronaldos për të takuar udhëheqësin amerikan u zbulua gjatë një interviste me gazetarin britanik Piers Morgan. Trump ka një miqësi të gjatë me Morgan, që daton që nga koha kur prezantuesi fitoi reality shoë-n e vitit 2008 “Celebrity Apprentice”, të prezantuar nga presidenti i SHBA-së.
Në këtë intervistë, Morgan pyeti për një fanellë të nënshkruar që Ronaldo ia kishte dërguar Trumpit, e cila mbante mesazhin “Presidenti Donald J. Trump luan për paqen”.
“Nëse bota është në paqe, ky është qëllimi ynë. Ai është një nga njerëzit që mund ta ndryshojë ose të ndihmojë në ndryshimin e botës. Dhe ky është qëllimi im kryesor: të takohem me Trumpin dhe të flasim për paqen botërore. Nëse mund ta bëni të ndodhë, ai është dikush me të cilin do të doja shumë të ulesha të flisja.”, u përgjigj Ronaldo pyetjes.
Sulmuesi portugez shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij për ta mirëpritur Trumpin në Arabinë Saudite nëse është e nevojshme, por në vend të kësaj ai tha se do të dontë ta vizitontë në SHBA.
“Këtu (në Arabinë Saudite), në Shtetet e Bashkuara, kudo që të ndodhë, do të doja ta takoja. E di që ka qenë në Arabinë Saudite. Shpresoj të ulem me të një ditë, sepse është një nga ata njerëz që i admiroj vërtet. Mendoj se ai mund të bëjë që gjërat të ndodhin dhe i respektoj njerëzit e tillë”, përfundoi superylli 40-vjeçar.
Sipas mediave amerikane, Ronaldo pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë, në të njëjtën ditë që Trump do të takohet edhe me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Mbetet e paqartë nëse dy takimet janë të lidhura, duke pasur parasysh marrëdhënien e Cristianos me Al Nasr, ekipin arab për të cilin luan aktualisht./ K.M
