Në nëntor të vitit 2002, anija greke naftë-mbajtëse Prestige, një kolos prej 243 metrash e ndërtuar nga kompania Hitachi & Engineering në Maizuru të Japonisë, lundronte në brigjet veri-perëndimore të Spanjës. Ajo transportonte mbi 70 mijë ton naftë të rëndë, ndërsa lundronte nën flamurin e Liberisë dhe ishte në pronësi të kompanisë Mare Shipping.
Ishte një anije e vjetër, që kishte parë dekada në det, e lodhur nga valët dhe stuhitë. Por atë dimër të vitit 2002, Atlantiku do ta vinte në provën e fundit.
Çarja që paralajmëroi tragjedinë
Më 13 nëntor, gjatë një stuhie të furishme pranë Galicia-s, ekuipazhi dëgjoi një krismë të fortë. Trupi i anijes kishte pësuar një të çarë të madhe në njërën anë. Nafta filloi të derdhej në det, ndërsa valët e mëdha e godisnin Prestige-n nga të gjitha anët.
Kapiteni kërkoi ndihmë të menjëhershme dhe leje për t’u futur në një port të sigurt. Por autoritetet spanjolle, duke frikësuar një ndotje të drejtpërdrejtë të bregut, i urdhëruan të largohej nga brigjet. Kështu, anija u shëtit e dërrmuar për ditë të tëra nëpër stuhi, duke humbur çdo mundësi shpëtimi.
Momentet e fundit
Pas disa ditësh përplasjesh me detin e tërbuar, Prestige nuk mundi të qëndronte më. Më 19 nëntor 2002, trupi i saj u nda në dysh dhe u fundos rreth 250 kilometra larg bregut të Galicia-s. Bashkë me të u zhytën në thellësitë e Atlantikut mbi 50 mijë ton naftë, e cila filloi të shpërndahej ngadalë në sipërfaqe.
Deti u kthye në një tapet të zi, dhe vija bregdetare e Spanjës e Portugalisë u nxi si të mos e kishte parë kurrë drita e diellit.
Katastrofa mjedisore më e madhe në Gadishullin Iberik
Ajo që pasoi ishte një katastrofë mjedisore historike. Qindra kilometra vijë bregdetare u prekën nga nafta e rëndë dhe ngjitëse. Mijëra zogj detarë u gjetën të ngordhur, qindra peshkatarë e humbën mënyrën e tyre të jetesës, ndërsa komunitetet bregdetare u përballën me pasojat ekonomike e ekologjike për vite të tëra.
Prestige u cilësua si fatkeqësia më e madhe mjedisore në historinë e Spanjës dhe Portugalisë. Pamjet e vullnetarëve të mbuluar me naftë, të cilët pastronin shkëmb pas shkëmbi, u bënë simbol i shpirtit të qëndresës, por edhe i plagës së madhe që mbeti pas.
Një mësim i hidhur nga deti
Ngjarja e Prestige-s nxori në pah rrezikshmërinë e anijeve të vjetra të naftës dhe boshllëqet e mëdha në menaxhimin ndërkombëtar të krizave detare. Pas katastrofës, shumë vende evropiane ndërmorën reforma për të kufizuar përdorimin e anijeve me trup të vetëm, duke rritur standardet e sigurisë.
Por në kujtesën e banorëve të Galicia-s, në peshkatarët që humbën gjithçka, dhe në oqeanin që u helmua, Prestige mbetet një kujtim i errët — një ditë kur deti u shndërrua në një pasqyrë të zezë që reflektonte dështimet njerëzore.
Pëgatiti: L.Veizi
