20 nëntor 1945 – Në Nuremberg të Gjermanisë, starton zyrtarisht gjyqi ndaj kriminelëve nazistë të Luftës së Dytë Botërore
Përgatiti: Leonard Veizi
Në tetorin e vitit 1946, dhjetë nga figurat më të larta të regjimit nazist u ekzekutuan me varje në Nurëmberg. Hermann Goring, më i rëndësishmi ndër ta, zgjodhi t’i shpëtonte litarit duke gëlltitur një kapsulë cianuri natën para ekzekutimit. Ishin ministra, marshallë, ideologë dhe ushtarakë të rangut të lartë – elita që kishte ndërtuar makinerinë e terrorit të Rajhut të Tretë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Ushtarake do të hapte më pas rrugën për mijëra dënime të tjera në mbarë Evropën.
Krijimi i Gjykatës
Gjyqet e Nurëmbergut ishin ndër proceset më të rëndësishme të historisë moderne: për herë të parë një koalicion shtetesh gjykonte drejtuesit e një shteti tjetër për krime kundër njerëzimit. Karta e Londrës (8 gusht 1945) përcaktoi strukturën e Tribunalit dhe kategoritë e krimeve: krime kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi i parë, ai i kriminelëve kryesorë, u mbajt midis 20 nëntorit 1945 dhe 1 tetorit 1946 dhe u konsiderua nga bashkëkohësit “gjyqi më i madh në histori”. Para bankës së të akuzuarve u ulën 24 drejtues të lartë nazistë. Disa prej tyre, si Robert Ley, kryen vetëvrasje para se të hynin në sallë. Të tjerë, si Bormann, u gjykuan në mungesë.
Shumë nga figurat kryesore naziste nuk arritën kurrë para drejtësisë: Hitler, Goebbels dhe Himmler u vetëvranë në pranverën e vitit 1945; Reinhard Heydrich ishte vrarë më 1942; ndërsa Adolf Eichmann u kap shumë më vonë dhe u var në Izrael në vitin 1962.
Pse u zgjodh Nurëmbergu
Edhe pse sovjetikët kërkuan Berlinin, qyteti bavarez u konsiderua më i përshtatshmi për dy arsye kryesore:
– Pallati i Drejtësisë kishte mbetur pothuajse i paprekur nga bombardimet dhe përfshinte edhe një burg të madh.
– Nurëmbergu ishte qendra simbolike e nazizmit, vendi i mitingjeve madhështore të Partisë dhe i miratimit të Ligjeve të famshme racore të vitit 1935.
Si kompromis, Berlini u shpall selia zyrtare e Tribunalit, ndërsa procesi i parë zhvillohej në Nurëmberg.
Nga ideja te vendimi – rruga e gjatë drejt drejtësisë
Aleatët ishin të ndarë se çfarë duhej bërë me krerët e Rajhut. Stalin kërkonte ekzekutimin masiv të dhjetëra mijëra oficerëve gjermanë. Churchill e quajti atë “vrasje të ftohtë gjaku” dhe këmbënguli se dënimet duhej të vendoseshin vetëm pas një procesi të rregullt gjyqësor.
Në SHBA, Sekretari i Luftës Henry Stimson kundërshtoi Planin Morgenthau – një program brutal që parashikonte de-industrializimin e Gjermanisë dhe ekzekutime të menjëhershme – dhe kërkoi ngritjen e një gjykate shumëkombëshe. Me ardhjen në detyrë të Presidentit Truman, projekti mori miratimin përfundimtar.
Procesi dhe aktorët
Katër fuqitë fituese – SHBA, Britania, Bashkimi Sovjetik dhe Franca – caktuan secila nga një gjyqtar dhe një prokuror. Në total, rreth 200 të pandehur u gjykuan në procese të ndryshme në Nurëmberg, ndërsa rreth 1.600 të tjerë u trajtuan nga gjyqet ushtarake tradicionale.
Tribunali nuk kishte juridiksion për krime para 1 shtatorit 1939, çka bëri që një pjesë e akteve të Partisë Naziste para luftës të mbeteshin jashtë procesit.
Dënimet
Më 1 tetor 1946, Tribunali shpalli vendimet: 12 dënime me vdekje, 3 dënime me burgim të përjetshëm, të tjerë me dënime të rënda dhe disa pafajësime.
Ekzekutimet u kryen natën e 16 tetorit në gjimnazin e Pallatit të Drejtësisë. U përdor një varje me rënie të shkurtër, metodë e cila sipas disa dëshmive shkaktoi vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme – deri në 28 minuta luftë për frymëmarrje. Ekzekutori ishte John C. Woods.
Trupat u dogjën në krematoriumin e Mynihut dhe hiri u hodh në lumin Isar, për të shmangur çdo mundësi kulti të mëvonshëm.
Epilogu
Gjyqet e Nurëmbergut krijuan themelet e drejtësisë penale ndërkombëtare. Ato përcaktuan qartë se:
– krimet e luftës nuk parashkruhen,
– zyrtari i lartë nuk ka imunitet,
– urdhri i eprorit nuk është justifikim,
– individi është përgjegjës para ligjit ndërkombëtar.
Këto parime frymëzuan më vonë Konventat e Kombeve të Bashkuara dhe krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Në Nurëmberg nisi epoka e re e drejtësisë globale: për herë të parë në histori, ideja se askush nuk është mbi ligjin – as edhe një diktaturë e tërë – u bë realitet gjyqësor.
