Last Updated on 19/11/2025 by EL
Ditën e sotme është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit 21-vjeçari Daniel Pepa, i shpallur në kërkim për vrasjen e Flori Paluçit, ngjarje e ndodhur më 22 tetor të këtij viti në Manëz.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në ambientet e jashtme të një lokali, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.
Shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani).
Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre shtetasve për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti. Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. m.p.
