Last Updated on 24/11/2025 by Kesjana
Një delegacion i lartë britanik, i kryesuar nga Lordi Timpson, Ministër për Burgjet, Provën dhe Pakësimin e Recidivizmit, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit nga drejtues të lartë të sistemit penitenciar dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Delegacioni përfshinte gjithashtu Anthony Cooper, Raie Wilkins dhe Emily Beales, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik britanik në Tiranë, të udhëhequr nga znj. Julia Sutherland, e Ngarkuara me Punë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në takim, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria britanike i ka ofruar sistemit penitenciar shqiptar, duke theksuar rëndësinë e projekteve konkrete që ndihmojnë në përmirësimin e kushteve dhe eficiencës brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Një nga kontributet më të rëndësishme të partnerëve britanikë është zbatimi i kurseve profesionale në mjediset e IEVP-ve, të cilat u japin personave në konflikt me ligjin mundësi reale për rehabilitim dhe integrim në shoqëri pas përfundimit të dënimit. Këto programe janë vlerësuar si hapa të rëndësishëm drejt uljes së recidivizmit dhe rritjes së perspektivave të punësimit për të dënuarit.
Gjithashtu, u vlerësua dhurimi i radiomarrëseve për sistemin e burgjeve – pajisje që rrisin ndjeshëm sigurinë, shpejtësinë e komunikimit dhe efektivitetin në punën operative të stafit penitenciar.
“Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e thellë dhe mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë britanike. Këto projekte janë prova e qartë e angazhimit për një sistem më modern, më të sigurt dhe më të orientuar drejt rehabilitimit,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm, Klevis Qose.
Takimi konfirmoi vijimësinë e partneritetit mes dy vendeve dhe gatishmërinë për të zhvilluar projekte të reja që forcojnë reformën në drejtësi dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve penitenciare./kb

