Last Updated on 18/06/2026 by Leonard
Mjaft personalitete shqiptare të njohura në Shqipëri po spikasin edhe në vende të mëdha evropiane. Një prej tyre është gazetari i njohur Mentor Faik Hoxha, autor i 13 librave. Me 12 qershor 2026 ai mori në Lyon të Francës titullin ndërkombëtar “Ambasador i Paqes”. Në këtë diplomë në frëngjisht shkruhet: “La Fédération pour la paix universelle confère le titre d’”Ambassadeur de la Paix” à des personnalités exemplaires qui vivent pour les autres et se dévouent à des activités afin de promouvoir des valeurs morales universelles, une vie de famille solide, la coopération interreligieuse, l’harmonie entre les nations, le renouveau de l’Organisation des Nations unies, de médias responsables et l’établissement d’une culture de la paix”. Transcendant les barrières raciales, nationales et religieuses, les Ambassadeurs de paix contribuent à la réalisation du rêve immémorial de l’humanité : un monde uni et en paix dans lequel s’harmonisent les dimmensions spirtuelles et matérielles de la vie. La Fédération pour la Paix Universelle a l’honneur de nommer “Ambassadeur de la paix” : Mentor Hoxha.
Në shqip përkthehet: “Federata për Paqe Universale u jep titullin “Ambasador i Paqes” individëve shembullorë që jetojnë për të tjerët dhe i përkushtohen aktiviteteve që promovojnë vlerat morale universale, jetën e fortë familjare, bashkëpunimin ndërfetar, harmoninë midis kombeve, ripërtëritjen e Kombeve të Bashkuara, median e përgjegjshme dhe krijimin e një kulture paqeje. Duke kapërcyer barrierat racore, kombëtare dhe fetare, Ambasadorët e Paqes kontribuojnë në realizimin e ëndrrës së lashtë të njerëzimit: një botë e bashkuar dhe paqësore në të cilën dimensionet shpirtërore dhe materiale të jetës janë të harmonizuara. Federata Universale e Paqes ka nderin të emërojë si “Ambasador për Paqen” Z. Mentor Hoxha.
Ky titull iu akordua nga presidenti i shoqatës franceze “Mains Ouvertes” (Duart e hapura), Jean-Paul Chaudy dhe iu dorëzua në dorë nga bashkëkryetari i La Fédération pour la Paix Universelle për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Z. Jacques Marion gjatë një dreke zyrtare ku morën pjesë të gjithë ambasadarët e Paqes në Lyon, qyteti i tretë më i madh në Francë pas Parisit dhe Marsejës. Pas marrjes së titullit, Z. Hoxha u shpreh i emocionuar: “Jam shumë i lumtur që vlerësohem në Francë me këtë titull prestigjioz ndaj ju falënderoj me gjithë zemër. Ky titull më motivon akoma më shumë për ta përfaqësuar denjësisht këtë Federatë dhe Francën, atdheun tim të dytë. Një falënderim të veçantë kam për shtetin francez që më dha mundësinë të jetoj dhe të punoj në Francë si një qytetar i ligjshëm në kohën kur shteti im mi mbylli dyert në vendlindje”.
Gjatë prezantimit të veprimtarisë së ambasadorëve të rinj të paqes, Z. Jean-Paul u ndal te misioni i Mentor Hoxhës si gazetar dhe si autor i 13-të librave. Ai veçoi enciklopedinë voluminoze “Les personnalités albanaises de France – Personalitetet shqiptare të Francës” ku përfshihen 489 personalitete dhe gjithë dhe historia e diasporës shqiptare në Francë që nga mesjeta e deri në ditët tona.
Me titullin “Ambasador i Paqes” u nderuan edhe shtatë personalitete të nacionaliteteve të tjera me banim në Lyon. Mes tyre spikat poetja dhe aktivistja kosovare Alma Mulakaj. Këtë titull e ka marrë para disa vitesh në Paris edhe piktori i njohur shqiptar në Lyon Klement Sina, i cili është një nga krijuesit e Këshillit Shqiptar të Paqes në kryeqytetin francez. Federata e Paqes Universale mban status të përgjithshëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC) dhe mbështet programe në bashkëpunimin ndërfetar, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Bashkëthemeluesi i saj Dr. Hak Ja Han është nominuar zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe 2026.
Mentor Hoxha është gazetar, poet, studiues dhe kritik letrar. Autor i 13 librave me poezi, studime letrare dhe historike. Ka publikuar në shtypin shqiptar rreth 5,000 artikuj dhe 1,500 intervista exlusive me personalitete shqiptare; presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, ministra, deputetë, akademikë, artistë, gazetarë, misse, sportistë, sipërmarrës etj. Nga librat e tij veçohen: Enciklopedia “Les personnalités albanaises de France – Personalitetet shqiptare të Francës” (Shtëpia Botuese Edlora, Tiranë 2024, faqe 522, format B5, ISBN: 9789928803306), Figura e femrës në letërsinë shqipe (Botimet “M&B”, Tiranë, 2015, ISBN: 978-9928-172-53-2, fq. 418), Blliçja, Çidhna dhe Dibra në historiografinë shqiptare dhe botërore nga parahistoria deri në 1944 (Monografi historike për Nderin e Kombit dhe Vendlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Shtëpia botuese “LINDDITA AE”, Tiranë, 2015, fq. 520, format B5, ISBN: 978-9928-101-46-4), Albanian Eurovision (intervista me këngëtarët shqiptarë në Festivalin Evropian, Botimet “M&B”, Tiranë, 2011, ISBN: 978-99956-04-58-5), Shënime nga Europa (Reportazhe nga Anglia, Greqia, Franca, Gjermania dhe Belgjika, Botimet “M&B”, Tiranë, 2010, ISBN: 978-99956-04-44-8), Lirika nga Europa (Botimet “M&B”, Tiranë, 2010, ISBN: 978-99956-04-42-4), Sekretet e VIP-ave (Intervista eksluzive me 90-të personalitete shqiptare, Shtëpia Botuese “Dardania”, Tiranë, 2006, ISBN: 99943-822-1-7, fq. 270, format B5), Shpërthimet e zemrës (Poezi, Shtëpia botuese “DITA”, Tiranë, 2004, ISBN: 9994361236), Sekretet e Miss-eve (Portrete & intervista eksluzive me kryebukuroshet e Shqipërisë, botimet “Reklama”, Tiranë, 1998) etj. Ka redaktuar e korrektuar mbi 75 libra nga autorë të njohur shqiptarë. Për veprimtarinë e tij letrare janë publikuar mbi 80 artikuj në shtypin shqiptar. Është anëtar i Fédération Internationale des journalistes (IFJ, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, 1995-), anëtar i Union des écrivains Rhône-Alpes (Unioni i Shkrimtarëve të Regjionit Rhône-Alpes në Francë (2024-), anëtar i Salon des Poètes de Lyon (Salloni i Poetëve të Lyonit, 2023-), anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (1995-) dhe anëtar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (2016-). Ka marrë disa çmime letrare në Shqipëri dhe është përfshirë në disa enciklopedi dhe antologji poetike, si: Fjalori “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut, Tiranë, 2005, kontributor: Hamit Borçi), Enciklopedia e Dibrës (autor Fatos Daci, Tiranë, 2006), Një shekull poezi dibrane (2009), Historia e arsimit në Dibër (2011), Antologjia e poezisë dibrane (2003), Pena e Dibrës (2014) etj. Disa poezi të tij janë publikuar në frëngjisht dhe greqisht.
Mentor Hoxha ka lindur në fshatin Blliçe, rrethi Dibër. Nga viti 1997 e deri më 2016 kur u vendos në Francë banoi në Tiranë. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës (1991-1995) ku mori diplomën me titull “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe për shkollat e mesme”. Në 2013-2015 kreu shkëlqyeshëm me notë mesatare 9.2 një Master Shkencor në “Studime Letrare” në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Diplomën e mbrojti në Akademinë e Shkencave të Republikës Shqipërisë me tezën me temë “Figura e femrës në letërsinë shqipe” me udhëheqës shkencor akademikun e shquar shqiptar Prof. Dr. Shaban Sinani (Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë). Ka kryer edhe disa trajnime për gazetari dhe mësuesi në Angli dhe Francë. Për katër vjet ka qenë mësues për lëndët gjuhë dhe letërsi në shkollën e mesme Fushë-Alie dhe Arras në Dibër, nëndrejtor në shkollën private “Sarina 2002” në Tiranë dhe shef kulture te gazetat ditore “SOT” (2005-2009) dhe “Telegraf” (2010-2013). Për 10 vite ka qenë kryeredaktor te revista mujore “Vajza e Ditës” (2005-2016) dhe për një vit aksioner dhe anëtar i Këshillit botues në gazetën “Rruga e Arbërit” (2013-2014). Nga 15 qershori i vitit 2016 jeton në Francë dhe shkruan për gazetat e njohura ditore shqiptare “Koha Jonë” (2016-2021) dhe “Fjala” (2021 e në vijim) ku ka publikuar mbi 100 artikuj për ngjarjet më kryesore politike, historike, shkencore, letrare, kulturore dhe sportive që kanë ndodhur në dhjetë vitet e fundit në Francë duke u bërë një urë lidhëse mes dy vendeve. Ka dhënë disa intervista për mediat shqiptare dhe ka publikuar dosierë, reportazhe, përmbledhje poezish, studime letrare e historike mbi marrëdhëniet franko-shqiptare, si dhe portrete e intervista me personalitete franceze dhe shqiptare në Francë.
