Evropianët kanë dorëzuar një variant të rishikuar të planit amerikan për paqen në Ukrainë, duke kundërshtuar disa prej pikave më të debatueshme të tij.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Reuters, propozimi i hartuar nga vendet e ashtuquajtura E3, Britania, Franca dhe Gjermania, përfshin ndryshime të rëndësishme në qasjen ndaj së ardhmes së sigurisë së Ukrainës.
Në dokument thuhet se kapacitetet e ushtrisë ukrainase duhet të kufizohen në 800 mijë trupa “në kohë paqeje”, një shifër dukshëm më e lartë se propozimi amerikan prej 600 mijë ushtarësh. Po ashtu, ata kundërshtojnë nismën amerikane për të përcaktuar paraprakisht zona që do t’i njiheshin Rusisë si “de facto”. Sipas propozimit evropian, negociatat për çdo shkëmbim territorial duhet të nisin nga vija aktuale e frontit.
Një tjetër element kyç i dokumentit është sugjerimi që Ukraina të marrë garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, e cila do të nënkuptonte një angazhim më të drejtpërdrejtë amerikan për mbrojtjen e saj.
Evropianët shprehen gjithashtu skeptikë për përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Perëndim.
Dokumenti pritet të diskutohet në takimet e radhës në Gjenevë, ndërsa të dy palët, SHBA dhe aleatët evropianë, synojnë të gjejnë një formulë të përbashkët që mund të hapë rrugën drejt negociatave përfundimtare për paqen në Ukrainë./mxh
