Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen e tij për Ukrainën, në një kohë kur bisedimet e paqes po shënojnë përparim. Pas një takimi informal të liderëve evropianë në Luanda, ai theksoi se BE-ja do t’i ofrojë Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbështetje diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh se prania e fortë evropiane në Gjenevë ka ndihmuar të arrihet progres i dukshëm në negociatat për paqe, duke krijuar një bazë solide për hapat e ardhshëm.
Takimi në kryeqytetin angolez vjen një ditë pasi SHBA-ja dhe Ukraina zhvilluan bisedime në Zvicër për të hartuar një plan paqeje të pranueshëm për të dy palët. Kjo ngjarje pasoi një propozim 28-pikësh nga Uashingtoni, i cili u kritikua nga Kievi dhe disa aleatë evropianë si tepër i favorshëm për Moskën. Ukraina kishte afat deri të enjten për të dhënë përgjigjen e saj mbi kornizën e propozuar për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./mxh
