Mbi 400 mijë persona kanë protestuar këtë të shtunë në të gjithë Francën kundër rritjes së kostos së jetesës dhe për financimin e arsimit, duke ushtruar presion të ri ndaj qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protesta morën pjesë rreth 410 mijë persona në mbarë vendin, prej të cilëve 110 mijë në Paris.
Ndërkohë, organizatorët raportuan shifra më të larta, duke pretenduar se numri i protestuesve arriti në afro 800 mijë në të gjithë Francën dhe 250 mijë në kryeqytet.
Marshimi në Paris nisi në mënyrë paqësore dhe situata mbeti përgjithësisht e qetë gjatë ditës.
Megjithatë, në fund të protestës, pranë zonës Porte de Vincennes, disa protestues hodhën sende drejt policisë, e cila reagoi duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.
Përplasjet u regjistruan edhe në qytete të tjera të Francës, pas përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në zona ku tubimet nuk ishin të autorizuara. Protesta e së shtunës u zhvillua një javë pas trazirave dhe plaçkitjeve të përhapura në vend./mxh
