Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi sot se kishte shkatërruar dy raketa balistike të lëshuara nga rebelët Houthi të Jemenit, të cilat synonin qytetet Taif dhe Yanbu, sipas Reuters.
Autoritetet saudite aktivizuan përkohësisht alarmet e sigurisë edhe në qytetin e shenjtë të Mekës dhe në Xhedah, por rreth dhjetë minuta më vonë njoftuan se rreziku kishte kaluar.
Incidenti ndodhi dy ditë pasi rebelët Houthi pretenduan se kishin sulmuar Ministrinë saudite të Mbrojtjes, objekte të gjigantit të naftës “Saudi Aramco” në Yanbu dhe Aeroportin Ndërkombëtar King Fahd në Dammam.
Autoritetet saudite raportuan se dy persona ishin vrarë, por nuk kanë konfirmuar zyrtarisht pretendimet për sulmet në Riad dhe Yanbu.
“Saudi Aramco” u kërkoi punonjësve të evakuonin selinë e kompanisë në Dhahran.
Përshkallëzimi i sulmeve është shoqëruar edhe me interceptimin e dronëve mbi Riad dhe Medinë.
Në fillim të tetorit, rebelët Houthi paralajmëruan kompanitë ajrore të shmangnin hapësirën ajrore saudite, me përjashtim të zonave mbi Mekë dhe Medinë.
Zhvillimet kanë ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës energjetike, transportin ajror dhe stabilitetin ekonomik të Arabisë Saudite. /Mxh
