Në kuadër të Dialogut Politik të organizuar nga EPC, me temë “Sundimi i ligjit në veprim: Roli i SPAK-ut në avancimin e ambicieve të Shqipërisë për në BE”, u diskutuan arritjet e deritanishme të institucioneve të drejtësisë dhe sfidat që mbeten përpara, veçanërisht në një moment kur vendi jonë po përgatitet të emërojë kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
I pranishëm në këtë panel ka qenë edhe kreu aktual i SPAK, Altin Dumani, mandati i të cilit mbaron në dhjetor të këtij viti. Gjatë fjalës së tij Dumani vuri theksin te forcimi i kapaciteteve teknike të institucionit si dhe te bashkëpunimi i fortë me ndërkombëtarët.
Ai nënvizoi se me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SPAK ka investuar në teknika mjete bashkëkohore hetimore, por edhe në fuqizimin e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve financiare, duke krijuar bazat e nevojshme për hetime më efikase.
“Tjetër element i rëndësishëm është patjetër ndërtimi i kapaciteteve teknike. Dhe SPAK men ndihmën e BE dhe SHBA ka investuar në këtë drejtim. Duke bërë të mundur përdorimin e teknikave dhe mjeteve speciale të hetimit. Krah tradicionaleve, kemi investuar në financë dhe burimeve njerëzore me qëllim të krijojmë kapacitetet e duhura për të kryer hetime të suksesshme. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë i suksesshëm”, tha ai, teksa më tej theksoi se bashkëpunimi me ndërkombëtarët ka qenë kyç i suksesit.
Sipas tij, SPAK ka ndërtuar një rrjet të gjerë partneritetesh me Prokurorinë Antimafia të Italisë, autoritetet belge, spanjolle, gjermane dhe vendet nordike, duke zbuluar më tej se zyrat e Prokurorisë së Posaçme presin shpesh delegacione të huaja.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë i suksesshëm. SPAK ka arritur të ndërtojë një koalicion të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar. Prokurorinë Antimafia të Italisë, autoritetet belge, kemi një bashkëpunim shumë të mirë, spanjolle, gjermane, vendet nordike. Bashkëpunojmë.
Në zyrat e SPAk në një ditë mund të kesh shumë delegacione të huaja që vijnë jo për trajnim por për të kryer veprime hetimore në funksion të hetimeve të tyre”, shtoi ai, duke theksuar më tej se bashkëpunimi me SHBA-në, përmes DEA-s dhe FBI-së, ka sjellë rezultate të prekshme, ndërsa vitet e fundit janë krijuar lidhje të rëndësishme edhe me disa shtete të Amerikës Latine, si Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia, ku grupet kriminale shqiptare kanë ngritur bazat e tyre dhe bashkëpunimin me vendasit e kanë të ngushtë. m.p.
