Last Updated on 24/11/2025 by EL
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe këtë të hënë ka nisur “Foltorja” (protesta) e radhës e opozitës përpara kryeministrisë. Kështu ka zgjedhur ta quajë Partia Demokratike, “Foltore” në rrugë ose ndryshe një kuvend i qytetarëve dhe deputetëve. Demokratët thonë se nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar.
Njësoj si të hënën e kaluar, një grusht njerëzish janë mbledhur përpara godinës së qeverisë ndërsa nuk kanë munguar edhe momentet “pikante”. Deputetja e re demokrate, Denisa Vata është parë në këtë tubim nën shoqërinë e ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Teksa qytetarët flisnin në “Foltore”, Denisa Vata e cila fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 Majit, duket se po shijon bisedën me Jozefina Topallin me një cigare në dorë.
Nuk mungojnë edhe të qeshurat teksa qytetarët e pranishëm denoncojnë qeverinë dhe shprehin pakënaqësitë që kanë nga Edi Rama.
Një prej të pranishmëve në këtë protestë është edhe nipi i Havzi Nelës, poetit të dënuar me varje nga regjimi komunist. Nipi i Havzi Nelës tha se qeveria e Edi Ramës po bën masakër dhe se jetesa në Shqipëri është bërë e pamundur për shkak të keqqeverisjes./E.T
