Rrjedha e fryrë dhe jashtëzakonisht e fuqishme e lumit Shkumbin, që prej një jave vazhdon me intensitet të pazakontë, ka vënë në rrezik serioz Urën Antike të Kamares, një ndër monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore në qarkun e Elbasanit. Banorët e lagjes Mirakë kanë dhënë alarmin mbrëmjen e sotme, pasi një nga harqet kryesore të urës është dëmtuar rëndë nga përplasjet e vazhdueshme të ujit.
Edhe banorët e zonës, të cilët e shohin urën si pjesë të historisë dhe jetës së tyre të përditshme, shprehen të alarmuar. Ata thonë se gjatë natës dëgjohen zhurma gurësh që shkëputen dhe lëvizin, duke krijuar frikën se shembja mund të ndodhë nga momenti në moment. “Kjo urë është identiteti ynë. Nuk duam të zhduket kështu, nën sytë tanë,” thonë ata.
Nëse Ura e Kamares shembet, Shqipëria rrezikon të humbasë një prej urave më të vjetra mesjetare të lidhura me trasenë e lashtë të rrugës Egnatia — një simbol historik që ka shërbyer si pikëkalim për mijëra udhëtarë përgjatë shekujve. Edhe turistët që ndodheshin sot në zonë u shprehën të tronditur.
“Është një mrekulli arkitekturore. Është e pabesueshme që mund të humbasë pa asnjë mbrojtje,” u shpreh një vizitor gjerman./kb
