Drama e re historike e Chloe Zhao, “Hamnet”, sjell një rishpikje artistike të viteve formuese të William Shakespeare dhe jetës së tij personale me Agnesin, një version i trilluar i bashkëshortes së tij, Anne Hathaway. Paul Mescal dhe Jessie Buckley interpretojnë rolet kryesore të Will-it dhe Agnesit, ndërsa filmi ndjek romancën e tyre dhe dhimbjen prindërore pas humbjes së djalit të tyre, Hamnet, nga murtaja. Kjo tragjedi personale shërben si frymëzim për protagonistin poet të Mescal-it për të shkruar tragjedinë e famshme “Hamlet”.
Megjithëse filmi trajton tema të rënda, aktorët theksojnë se “Hamnet” eksploron pikëllimin me shumë dimensione. Në një intervistë për Reuters, Buckley tha: “Pikëllimi ka shumë ngjyra… nuk është vetëm një pus trishtimi. Ka dashuri të thellë, zemërim, heshtje, kërkim. Kurrë nuk është vetëm një ngjyrë. Dhe Chloe është një endëse emocionesh dhe një redaktore e jashtëzakonshme.”
Mescal shtoi se pjesa e parë e filmit e mbajti “duke buzëqeshur gjatë gjithë kohës”. I njohur për rolet e tij tragjike në filma si “All of Us Strangers” dhe “Aftersun”, aktori irlandez tha se nuk dëshiron të kategorizohet vetëm si interpretues i dramave të trishtueshme. “S’besoj tek ajo ideja e vendosjes së filmave apo aktorëve në kuti të vogla,” u shpreh ai.
Me producentë të kalibrit të Steven Spielberg dhe Sam Mendes, “Hamnet” e gjen Zhao-n jo vetëm regjisore, por edhe montazhiere dhe bashkautore të skenarit, së bashku me shkrimtaren Maggie O’Farrell, autoren e romanit origjinal. Regjisorja e përshkruan filmin si një “përrallë të errët”, një largim nga filmat e saj të mëparshëm që trajtonin jetën rurale amerikane, si “Nomadland”, “The Rider” dhe “Songs My Brother Taught Me”.
Pjesa e dytë e filmit rikrijon edhe vënien në skenë të “Hamlet”-it, në një set që imiton teatrin legjendar Globe, ku dramacitet e Shakespeare-it u shfaqën për herë të parë para se teatri të digjej në vitin 1614. Mescal u shpreh se skena e kishte një ndjesi “të shenjtë”, ndërsa interpretimi i vargjeve të Shakespeare-it në atë hapësirë ishte një përvojë unike.
Ndërsa Mescal interpreton regjisorin Will Shakespeare duke drejtuar shfaqjen nga mbrapa skenës, Buckley — në rolin e Agnes, qëndron mes publikut. Për aktoren irlandeze, kjo ishte një përvojë shumë domethënëse, pasi roli i saj i parë pas kolegjit ishte pikërisht në teatrin Shakespeare’s Globe, në një inskenim të “The Tempest” në vitet e hershme të karrierës së saj. “Aty ke akses me qiellin, me tokën, me botën e nëndheshme — dhe në mes të tyre, me njerëzit,” tha Buckley.
