Në emisionin “Aldo Morning Show”, këtë të hënë, më 6 korrik, u diskutua një temë që prej kohësh ngjall debat: a mund të ndahet vepra nga autori, apo talenti nuk e shpëton dot njeriun?
E ftuar në lidhje direkte ishte shkrimtarja, poetja dhe pedagogia Mimoza Ahmeti, e cila ndau këndvështrimin e saj mbi marrëdhënien mes artistit dhe krijimtarisë, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve për t’i ndarë, autori mbetet gjithmonë i pranishëm në veprën e tij.
“Artisti është në vepër, puna është çfarë optike kemi për ta dalluar këtë. Le të marrim artistin më të madh, Ismail Kadarenë dhe që diskutohet. Unë mendoj që të gjithë elementët e tij personale që e dallojnë qoftë për mirë, qoftë edhe për të kundërtën, mund t’i dallosh tek vepra e tij.”
Sipas saj, mënyra se si publiku e percepton një vepër është po aq e rëndësishme sa edhe liria e autorit për të qenë ai që është. Ahmeti u ndal edhe te debati i përhershëm mbi ndarjen mes artistit dhe jetës së tij personale, duke sjellë si shembull edhe rastin e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadaresë.
“Shoqëria ka të drejtën e vet ta perceptojë si të dojë objektin që i ofrohet për vëzhgim, për lexim, për kulturë. Nga ana tjetër dhe autori ka të drejtën e vet të jetë ai që do të jetë. Ky është një raport që nuk është përcaktuar dot në mënyrë kategorike.
Edhe pse Europa e ka ndarë shumë qartë që vepra dhe artisti janë dy gjëra të ndryshme. Fakti që artisti më i madh i yni nuk merr dot çmimin Nobel, tregon që ata nisen nga disa gjëra që mund të jenë në vepër, po mund të nisen dhe nga disa gjëra që nuk janë në vepër. Kërkesa që artisti të jetë njeri, është shumë e rëndësishme.”
Gjatë bisedës, Ahmeti tregoi edhe se cili është, sipas saj, veprimi më i rëndë në raport me moralin, duke e konsideruar atë si të vetmen gjë vërtet të dënueshme.
“Subversionin, ta shkatërrosh diçka të mirë me qëllim që t’i zësh vendin, edhe pse ti e di që je më i keq. Vetëm kjo është shumë e rëndë për mua. Pjesët e tjera të moralit janë personale.”/kb
