Një lloj kërpudhe e zezë që është gjetur në vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit duket se po ushqehet nga rrezatimi. Shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të saj për të mbrojtur astronautët nga rrezet kozmike.
Në maj të vitit 1997, Nelli Zhdanova vizitoi një nga vendet më radioaktive në botë, mbetjet e uzinës bërthamore të Çernobilit dhe vuri re se nuk ishte e vetme. Në tavan, mure dhe kanalet metalike që mbajnë kabllot elektrike, kërpudha e zezë kishte kolonizuar hapësirat, duke u rritur drejt grimcave radioaktive të shpërndara nga shpërthimi i reaktorit.
Qelizat e kërpudhës janë të pasura me melaninë, i njëjti pigment që jep ngjyrën e lëkurës dhe flokëve tek njerëzit, e cila duket se vepron si një mburojë kundër rrezatimit. Eksperimente të mëvonshme kanë treguar se kërpudhat me melaninë rriten deri në 10% më shpejt kur ekspozohen ndaj rrezatimit, duke përdorur energjinë e tij për të stimuluar metabolizmin e tyre. Procesi u quajt “radiosintezë”.
Në studime më të fundit, të dërguara në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, e njëjta lloj kërpudhe, Cladosporium sphaerospermum, tregoi rritje më të shpejtë kur u ekspozua ndaj rrezatimit kozmik, duke sugjeruar se mund të përdoret si mburojë natyrore kundër rrezatimit për astronautët.

Pavarësisht se disa faktorë të tjerë mund të ndikojnë, si mungesa e gravitetit, mburoja biologjike ofron një alternativë më të lehtë dhe të vetëripërtërishme krahasuar me metale apo plastika të rënda.
Shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të këtyre kërpudhave për të ndërtuar baza hapësinore në Hënë dhe Mars, duke krijuar mure dhe mobilje të rritura vetë, që jo vetëm zvogëlojnë kostot e nisjes nga Toka, por edhe ofrojnë mbrojtje ndaj rrezatimit kozmik. Ashtu si kërpudhat e zeza kolonizuan një botë të braktisur në Çernobil, ato mund të mbrojnë hapat e parë të njerëzimit në botë të reja në Sistemin Diellor./kb

