Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët përmes rrjeteve sociale, u pyet se pse nuk jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë për t’ia lënë drejtimin të rinjve.
Berisha tha se në kushtet e diktaturave autoritare qëndrimi në opozitë është një mision dhe se largimi nga misioni bëhet vetëm nëpërmjet votës.
“PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë.
“Por në kushtet e farsës elektorale dhe narkoshetit, në kushtet kur zgjedhje janë farsë dhe jo zgjedhje normale, një akt i tillë do ti shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin. Një akt i tillë nuk mund të ndodhë, përveç se me votën e demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe takimin e një grupi eksponentësh të PD-së, mes tyre ish-deputeti Ervin Salianji dhe anëtari i këshillit bashkiak Ilir Alimehmeti. Berisha tha se askush nuk është i përjashtuar nga partia.
“Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti.
Po ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Pra do të bëj gjithçka për të vërtetuar se ishin zgjedhje apo farsë, se ishte votë e lirë apo e rrëmbyer.
Berisha tha se “zgjedhjet në Shqipëri u mbajtën në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhjet që zhvillohen në kushtet e partisë-shtet nuk janë kurrë më të lira, por janë thjeshtë farsë elektorale”.
Berisha shtoi ndër të tjera se “çdo demokrat e demokrate, çdo opozitar dhe opozitare e ka legjitime betejën për përmbysjen e këtij pushteti dhe rivendosjen e votës së lirë. Dhe ky nuk është një rezultat i vogël. Kjo është realizuar dhe në vitin 2001, nëse ju kujtohet që u konkludua me një president konsensual, formulë e cila sot opozitës në vlerësim tim më të madh nuk i intereson”.
Sipas Berishës përpjekjet për ribashkimin e partisë ishin më të duhurat, pasi ishte një “betejë për ekzistencën e PD-së”.
“Sali Berisha kishte një rrugë tjetër, të rithemelonte një forcë politike të re, por nuk e meritonte PD kurrë atë. Nuk meritonte PD-ja të ja dorëzonte armiqve të saj këtë forcë politike. Terrori politik ndaj opozitës nuk është një moment inkurajimi për qytetarët, përkundrazi, është një moment terrori për qytetarët dhe në këtë kontekst përpjekjet për bashkim ishin përpjekjet më të duhura. Dhe padiskutim që ato kishin një çmim, e pohoj, por nuk mund të pranoja kurrë që PD të transformohej në një parti jashtë idealeve dhe programit të demokratëve”./ K.M
