Flamur Noka vazhdon të jetë objekt debatesh të forta në PD. Ai njihet vetëm për lidhjen e kahershme me Sali Berishën, sepse e ka ndërtuar karrierën kryesisht përmes servilosjes dhe jo domosdoshmërisht përmes peshës së votës personale. Ky perceptim është bërë shpesh pjesë e retorikës publike, duke ngritur pyetje sesi ka mundësi që vijon të jetë pjesë e kupolës së PD.
Shumë kritikë pretendojnë se Noka u shmanget garave të hapura brenda partisë, duke preferuar pozicionet e garantuara nga lidershipi i ngushtë. Kjo qasje interpretohet si frikë nga sfida reale dhe mungesë vullneti për t’u përballur me testin e votës së anëtarësisë. Debati rreth kësaj sjelljeje ka ushqyer idenë se ai nuk është i gatshëm të rrezikojë kapitalin e vet politik, sado i kufizuar të jetë ai.
Një tjetër kritikë e shpeshtë është se Flamur Noka, me stilin e tij politik të ashpër dhe konfrontues, përceptohet si pengesë për ringritjen e Partisë Demokratike. Kundërshtarët argumentojnë se figura të tilla mbajnë mbyllur dyert për energji të reja, profesionistë të rinj dhe prurje që mund të modernizonin partinë. Në këtë këndvështrim, retorika e tij shihet si një frenues për transformimin e brendshëm të PD-së.
Sjellja e tij perceptohet si arrogante, duke krijuar tensione të panevojshme dhe duke dëmtuar imazhin e partisë përballë publikut. PD rrezikon të ngecë në ciklin e vjetër të konfliktit dhe personalizimit të politikës, nëse vazhdon të dominohet nga figura që portretizohen si më të interesuara për betejat e brendshme sesa për hapjen dhe reformimin e partisë. m.p.
