Në dhjetor të vitit 1997, kryeqyteti kanadez Otava u kthye në qendrën e shpresës për mijëra njerëz në mbarë botën që kishin humbur gjymtyrët, jetesën apo familjarët prej një prej armëve më mizore dhe më të verbra të luftës: minave anti-personel. Në një ceremoni historike, përfaqësues nga 150 shtete u mblodhën për të diskutuar dhe nënshkruar traktatin ndërkombëtar që synonte t’i jepte fund prodhimit, përdorimit dhe vendosjes së këtyre minave vrastare. Prej tyre, 121 shtete vendosën të firmosnin menjëherë Traktatin e Otavës.
Ky dokument, i njohur edhe si Konventa për Ndalimin e Minave Tokësore, konsiderohet një ndër arritjet më të rëndësishme në fushën e së drejtës humanitare moderne. Ai kërkonte jo vetëm ndalimin e prodhimit dhe përdorimit të minave anti-personel, por edhe çminimin e territoreve të ndotura dhe ndihmën konkrete për viktimat. Në këtë kuadër, konferenca akordoi një fond prej 500 milionë dollarësh për programet e rehabilitimit dhe rivendosjes së komuniteteve të prekura.
Megjithatë, pas euforisë së ditës së nënshkrimit, qëndronte një hije e rëndë: mungesa e tre superfuqive. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Popullore e Kinës dhe Rusia – shtete me arsenale të mëdha ushtarake – zgjodhën të mos e firmosnin traktatin. Argumentet e tyre lidhej me çështjet e sigurisë kombëtare dhe nevojën për të përdorur mina tokësore si mjete mbrojtëse në zona të konfliktit. Kjo mungesë krijoi një boshllëk të dukshëm, si politik ashtu edhe moral, pasi efektiviteti global i traktatit mbetet i kufizuar pa pjesëmarrjen e tyre.
Megjithatë, nënshkrimi i Traktatit të Otavës ishte një fitore e madhe për diplomacinë ndërkombëtare dhe organizatat humanitare. Ai dëshmoi se vendet e botës, pavarësisht diferencave politike apo ekonomike, mund të bashkohen për një kauzë të përbashkët humane: mbrojtjen e jetës së civilëve dhe riparimin e plagëve të luftërave të së shkuarës.
Sot, traktati mbetet një pikë referimi për veprimet globale drejt çarmatimeve humanitare. Në shumë vende, fushat që dikur mbilleshin me vdekje janë kthyer në toka të punueshme, ndërsa mijëra viktima kanë marrë ndihmën e shumëkërkuar. Otava e 1997-ës mbetet kujtesë e fuqisë së vullnetit ndërkombëtar për të thënë “mjaft” ndaj armëve që nuk zgjedhin viktimën.
Përgatiti: L.Veizi
