Zbulohet një armë sekrete e Kriegsmarine. Historia e LS 6, motoskafit gjerman që kërkonte prenë nga errësira. LS 6, anija e vogël që mbajti një ide të madhe lufte. Nga operacionet sekrete të kryqëzorëve gjermanë te zbulimi spektakolar në 96 metra thellësi
Përgatiti: Leonard Veizi
Në fundin ranor të Detit Jon, në një thellësi ku drita e diellit humbet dhe historia mbetet e ngrirë në heshtje, një copëz e Luftës së Dytë Botërore ka dalë përsëri në sipërfaqen e kujtesës. Për 83 vjet, LS 6, një nga anijet më të pazakonta të marinës gjermane, qëndroi e fshehur nën ujë.

Relikti u identifikua në rreth 96 metra thellësi, pranë zonës së Prevezës dhe Mytikasit, në Detin Jon. Gjetja erdhi pas një kërkimi shumëvjeçar nga studiues dhe zhytës teknikë grekë. Anija u njoh nga karakteristikat e saj të veçanta: trupi i lehtë prej aliazh alumini, përmasat e vogla, motorët Junkers Jumo 205M dhe detaji më domethënës – kablloja e vjetër e rimorkimit që ende qëndronte në pjesën e përparme.
Për dekada dihej vetëm fundi i paqartë i historisë së saj. Në shtator 1943, LS 6 ishte goditur nga avionët aleatë pranë Igumenicës. E dëmtuar rëndë, ajo u nxor nga uji dhe u nis për t’u tërhequr drejt Pireut për riparime. Por gjatë rrugës, dëmtimet e trupit prej alumini u bënë fatale. Anija mori ujë dhe u zhduk në thellësitë e Jonit.
Ajo që u konsiderua një humbje e vogël në një luftë gjigante, sot është një nga dëshmitë më të rralla të teknologjisë detare gjermane.
Një armë e vogël për një luftë të madhe
Kur Gjermania hyri në Luftën e Dytë Botërore, Kriegsmarine kishte tashmë në përdorim S-Boote, motoskafe të shpejta torpeduese rreth 40 metra të gjata dhe me aftësi të larta luftarake. Por ato kishin një problem: ishin shumë të mëdha për t’u fshehur dhe transportuar në bordin e kryqëzorëve ndihmës. Gjermanët kërkonin diçka tjetër.
Ideja ishte që kryqëzorët ndihmës – anijet tregtare të maskuara si civile, të njohura si Hilfskreuzer ose Handelsstörkreuzer – të mos ishin vetëm platforma me topa, mina dhe silurë, por të mund të lëshonin edhe mjete të vogla sulmuese.
Një anije tregtare që hynte në një port armik mund të dukej krejt e zakonshme. Por natën, nga kuverta e saj mund të dilnin mjete të vogla që do të afroheshin në heshtje dhe do të godisnin objektivin.
Ishte një rikthim i një ideje të vjetër: anija mëmë e siluruesve. Një koncept i provuar që nga fundi i shekullit XIX nga disa marina evropiane, por që kishte dështuar për shkak të dobësisë së mjeteve të vogla ndaj detit të hapur.
Gjermanët kërkuan ta zgjidhnin këtë problem.
Lindja e Leichte Schnellboote
Kështu lindi projekti LS – Leichte Schnellboot, që do të thotë “anije e lehtë e shpejtë”.
Ndryshe nga motoskafet e zakonshme të bregdetit, LS nuk u projektua vetëm për sulme të shpejta pranë porteve. Ajo duhej të ishte një mjet i aftë për lundrim më të gjatë, për operacione speciale dhe për përdorim në kushte të ndryshme detare.
Prototipi i parë, LS 1, u ndërtua në vitin 1939 nga kantieri NAGLO në Berlin. Ai kishte një konstruksion të përzier: aliazh të lehtë dhe dru mahagoni të laminuar.
Më pas prodhimi kaloi te Dornier në Friedrichshafen, i cili ndërtoi një seri tjetër me strukturë tërësisht prej aliazh të lehtë.
Rezultati ishte një mjet shumë i pazakontë:
gjatësi rreth 12,5 metra;
ekuipazh vetëm 7 persona;
shpejtësi deri në 41 nyje;
dy motorë dizel Junkers Jumo 205M;
armatim me dy silurë 450 mm;
aftësi për vendosjen e minave;
mundësi transportimi të grupeve të vogla speciale.
Ishte, në thelb, një “siluruese xhepi”.
Sa LS u ndërtuan?
Programi nuk prodhoi një flotë të madhe. Në total u ndërtuan rreth 18 njësi, nga LS 1 deri te LS 18. Por vetëm një pjesë e vogël u përdor në rolin për të cilin ishin projektuar fillimisht. Tre prej tyre – LS 2, LS 3 dhe LS 4 – u vendosën në kryqëzorët ndihmës gjermanë:
Komet (HSK 7);
Kormoran (HSK 8);
Michel (HSK 9).
Këto anije zhvilluan luftë kundër tregtisë aleate në oqeane të largëta.
Një nga sukseset më të mëdha erdhi nga LS 4, e vendosur në Michel. Në vitin 1942 ajo mori pjesë në fundosjen e tanker-it amerikan Connecticut me dy silurë. Më vonë, bashkë me LS 5, mori pjesë edhe në sulmin kundër anijes tregtare amerikane George Clymer në Atlantik.
Nga oqeanet te Deti Egje
Pjesa më e madhe e LS-ve nuk përfundoi në operacionet oqeanike. Pas ndryshimit të situatës strategjike, ato u dërguan kryesisht në Mesdhe dhe Detin Egje. Atje roli i tyre ndryshoi. Nga armë sulmuese kundër tregtisë detare, ato u përdorën kryesisht për:
patrullim;
luftë kundër nëndetëseve;
shoqërim kolonash;
operacione pranë brigjeve.
LS 6 ishte një prej tyre. Ajo nuk pati një fund spektakolar në betejë. Nuk u fundos duke sulmuar një flotë armike. Përfundoi si shumë anije të tjera të luftës: e dëmtuar, e braktisur dhe e harruar. Por deti ruajti atë që arkivat nuk mundën ta tregonin.
Pas luftës: zhdukja e një klase të tërë
Nga gjithë seria LS, shumë pak mbijetuan. Disa u shkatërruan gjatë luftës, disa u kapën nga forcat aleate dhe disa iu dorëzuan marinave të vendeve të tjera.
Njësia e vetme e njohur që mbijetoi pas konfliktit ishte LS 12, e cila përfundoi si plaçkë lufte në Bashkimin Sovjetik. Asnjë tjetër nuk ruhej si anije muzeale.
Pikërisht për këtë arsye zbulimi i LS 6 ka rëndësi të veçantë. Ajo nuk është vetëm një anije e fundosur. Është pothuajse i vetmi dëshmitar fizik i një eksperimenti të veçantë të Kriegsmarine: përpjekjes për të krijuar një armë të vogël, të shpejtë dhe të fshehtë që mund të godiste shumë më larg se madhësia e saj.
Pas 83 vitesh, LS 6 nuk u kthye në luftë. U kthye në histori.
