Në përfundim të seancës maratonë prej 14 orësh, Kuvendi miratoi me 79 vota pro ndryshimet në projektligjin ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian’”, i cili gjatë diskutimeve solli përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
Në ligj parashikohet bashkëdrejtimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit mes PD-së dhe PS-së, ndërkohë që demokratët kërkojnë vazhdimin e udhëheqjes ekskluzive të tij.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se është hera e parë që një ndryshim i tillë vjen në Kuvend pa u konsultuar me opozitën.
“Ju e nisët këtë legjislaturë duke shkrirë Komisionin e Integrimit, vetëm për t’i hequr opozitës rolin thelbësor që ka në procesin e integrimit. Po na e shisni këtë projektligj sikur po i jepni opozitës një rol si bashkëdrejtuese në Këshillin e Integrimit, kur në fakt opozita historikisht ka patur drejtimin,” u shpreh Bardhi.
Bardhi akuzoi kreun e grupit të PS, Taulant Balla, se po propozon ndryshime në kushte të hapura konflikti interesi dhe se sipas tij mazhoranca po tenton tí heqë rolin opozitës nga procesi i integrimit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së bëri me dije se PD do ta bojkotojë Këshillin e Integrimit.
“Nëse ka një ligj që propozohet në konflikt interesi, është ky. Taulant Balla propozon të bëjë veten bashkëkryetar të Këshillit të Integrimit. Në emër të grupit të PD, po e deklaroj këtu: Ky është Këshilli juaj. Ne nuk marrim më pjesë në Këshillin e Integrimit”, theksoi Bardhi.
Bardhi përmbylli fjalën e tij duke njoftuar votën kundër të grupit demokrat.
“Vota jonë do të jetë kundër këtij projektligji.”/ K.M
