Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka denoncuar se unaza e qytetit të Burrelit është çarë para se të përfundojnë punimet.
Përmes një deklarate për mediat, Genta Vangjeli ka treguar se asfalti është çarë dhe rruga është e dëmtuar, e degraduar, pa u përfunduar ende.
Për këtë gishtin e akuzës Vangjeli ia drejton qeverisë.
“Duket se ditët e këqija për propagandën false të kryeministrit Edi Rama nuk po marrin fund.

Më 22 tetor, në rrjetin e tij social ‘Facebook’, Kryeministri publikoi foto nga punimet drejt përfundimit për ndërtimin e unazës në qytetin e Burrelit, ku po hidheshin shtresat e fundit asfaltike, ndërsa kishin përfunduar të gjitha punimet për veprat e artit. Por e vërteta është krejt tjetër.

Në datën 6 mars ARRSH lidhi kontratën me kompaninë ‘Ulza’ sh.p.k. (me subjekt mbështetës ‘ASI 2A CO’ sh.p.k.), me objekt ‘Sistemim, asfaltim rrugët e Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër’ kundrejt vlerës 1.2 milionë euro.

Sipas procedurës së prokurimit të zhvilluar nga ARRSH, fituesi që do të kryente mbikëqyrjen e punimeve për të njëjtin objekt ishte një bashkim operatorësh (‘LENI ING’ SH.P.K. – ‘ANGERBA’ SH.P.K.), i shpallur fitues në datën 2 qershor të këtij viti, pra 3 muaj pasi ishte lidhur kontrata për punët civile më lart, procese këto që ecin paralel me njëri-tjetrin, pasi asnjë punë ndërtimi nuk mund të zbatohet pa u mbikëqyrur njëkohësisht.

Ndërkohë në tabelën informuese teknike në terren, mbikëqyrës i punimeve nuk shfaqet bashkimi i operatorëve të shpallur fitues më lart, por çuditërisht një punëmarrës i ARRSH, z. Nikollaq Mihali.
Nuk dihet çfarë ndodhi me fituesit në letra të prokurimit për mbikëqyrjen dhe me fondet e shpenzuara për këtë qëllim, por e sigurt është që punimet e ndërtimit për kontratën 1.2 milionë euro që u prokurua nga ARRSH, u mbikëqyrën nga punëmarrësi i ARRSH-së.
Kjo është fytyra e vërtetë e propagandës qeveritare, e cila përpiqet të fshehë dëmin, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë me foto dhe statuse në rrjetet sociale.
Partia Demokratike kërkon që SPAK-u të hetojë këtë rast skandaloz. Shqiptarët nuk meritojnë vjedhjen, mashtrimin dhe as korrupsionin”, tha Vangjeli./ K.M
