Prej dy vitesh, të gjitha festimet publike për Krishtlindje në Betlehem, në Bregun Perëndimor, ishin anuluar për shkak të luftës në Gaza. Por pas armëpushimit të kohëve të fundit, qyteti vendosi që këtë vit festimet të ktheheshin, duke nisur me ndezjen e pemës gjigante të Krishtlindjeve përpara Kishës historike.
Kanë qenë dy vite të këqija heshtjeje; pa Krishtlindje, pa punë. Ne të gjithë jetojmë këtu nga turizmi dhe turizmi kishte rënë në zero”, ka deklaruar kryetari i bashkisë së Betlehemit, Maher Canawati. Kryebashkiaku u shpreh se ideja e rifillimit të festimeve nuk kaloi pa polemika, ndërsa vuajtjet ende vazhdojnë për palestinezët në Gaza.
Qytetet fqinje Beit Jala dhe Beit Sahour po planifikojnë gjithashtu të ndezin pemët e Krishtlindjeve në ditët në vijim. Hotelet – të cilat kanë qenë kryesisht bosh gjatë dy viteve të fundit, kanë pasur një fluks rezervimesh nga qytetarë palestinezë të Izraelit, si dhe nga disa vizitorë të huaj.
Në dy vitet e fundit, papunësia është rritur ndjeshëm në Betlehem. Që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor në tetor 2023, të cilat shkaktuan luftën, dhjetëra mijëra punëtorë palestinezë nga Bregu Perëndimor janë bllokuar nga hyrja në Izrael dhe në vendbanimet e tij për punë.
Ndërkohë, nëpunësit publikë kanë marrë vetëm paga të pjesshme nga Autoriteti Palestinez (AP), i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor. AP mbështetet në të ardhurat tatimore të mbledhura nga Izraeli, të cilat i mban, në shumën prej 1.76 miliardë dollarësh, sipas agjencisë së tregtisë dhe zhvillimit të OKB-së.
Izraeli thotë se po i mban fondet sepse AP bën pagesa për të burgosurit palestinezë që nxisin sulmet ndaj izraelitëve. Autoriteti, i cili ka qenë nën presion ndërkombëtar për të bërë reforma, thotë se kohët e fundit ka ndryshuar sistemin e tij të mirëqenies.
Perspektiva e zymtë ekonomike do të thotë që për shumë të krishterë palestinezë, edhe pse tani ka ngjarje publike, si dhe shërbime fetare, kjo do të jetë një Krishtlindje e vështirë. Me tensionet ende të larta në të gjithë rajonin, njerëzit në Betlehem thonë se po luten për paqe dhe shpresojnë që turistët të kthehen në vendin ku besohet se filluan Krishtlindjet.
