Tensionet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë shpërthyer sërish, ndërsa Bangkok kreu sulme ajrore kundër territorit kamboxhian në orët e para të së hënës.
Sulmet e reja vënë në rrezik planin e paqes të ndërmjetësuar vetëm dy muaj më parë nga presidenti amerikan Donald Trump.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e ofensivës, pas javësh tensioni dhe pezullimit të zbatimit të armëpushimit nga Tajlanda. Konfliktet e shkurtra përgjatë kufirit janë përsëritur shpesh vitet e fundit, ndërsa në korrik një përplasje 5 ditore la dhjetëra të vrarë dhe rreth 200 mijë persona të zhvendosur në të dy anët e kufirit.
Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul deklaroi se vendi i tij “nuk dëshiron dhunë”, por nuk do të lejojë “cënimin e sovranitetit”. Ai la te hapur mundësinë e veprimeve të tjera ushtarake, në varësi të zhvillimeve në terren.
Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias dwnnoi sulmet, duke thënë se mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së mëparshme të armëpushimit. Ndwrkohë, ushtria tajlandeze i cilësoi bombardimet e së hënës si “hakmarrje” për një sulm që vrau një ushtar tajlandez dhe palgosi shtatë persona.
Sipas ushtrisë së Tajlandës, objektivat ishin struktura ushtarake kamboxhiane në zonën e Chong An Ma Pass. Por pala kamboxhiane e hodhi poshtë këte, duke e quajtur informacion të rremë, dhe akuzoi Tajlandën se që prej ditësh ka kryer veprime provokuese përgjatë kufirit.
Më herët, zyrtarë tël kamboxhias denoncuan se forcat tajlandeze kishin djegur shtëpi dhe shkaktuar dëme që detyruan banorët të largohen nga fshatrat kufitare në provincat Oddar Meanchey dhe Preah Vihear.
Tajlanda nisi evakuimin e civilëve nga qytetet pranë kufirit, dhe sipas ushtrisë rreth 70% e banorëve të zonës tashmë janë larguar drejt ambienteve të sigurta.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, pasi frika e përshkallëzimit mbetet e lartë në këtë zonë historikisht të tensionuar./mxh
