Edhe pse duhen më shumë sesa 3 muaj për ndeshjen gjysmëfinale të “Play Off”-it të Botërorit kundër Polonisë, shqiptarët kanë nisur të bëjnë llogaritë përballë një rivali të fortë në letër.
Pavarësisht se mbetet një sfidë shumë e vështirë dhe për më tepër që do të luhet në transfertë, ka arsye që i bëjnë kuqezinjtë të besojnë. Një prej tyre lidhet me numrin e golave të shënuar nga futbollistët e Kombëtares me skuadrat e tyre në këtë sezon.
Mirlind Daku është bomberi i Shqipërisë, teksa me Rubin Kazanin ka tundur rrjetën 10 herë. Myrto Uzuni është i dyti me 9 gola, ndërsa në podium është Jasir Asani me 8 gola të realizuar. Përmirësim ka pasur në javët e fundit Arbër Hoxha që ka arritur në kuotën e 6 golave sezonalë.
Trajneri Silvinjo ka një armë të fortë që duhet ta shfrytëzojë siç duhet, sepse golat janë një aspekt që duhen përmirësuar për të synuar ëndrrën Botëror./kb
