Last Updated on 11/12/2025 by Kesjana
Elvin Gokaj tha se nëse zgjidhet në krye të SPAK do të jetë vetvetja. Ai u shpreh se do të marrë praktikat më të mira të kolegëve paraardhës dhe do të vazhdojë drejtimin vetë.
“Drejtimi im do jetë vetvetja për faktin se kam qenë mbi 10 vite drejtues në shumë rrethe të Shqipërisë. Do marr praktikat më të mira të kolegëve të mi paraardhës dhe do të vazhdoj drejtimin vetë”, tha ai.
Ai vlerësoi se Arben Kraja dhe Altin Dumani nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në çështjet e prokurorëve. Këtë linjë tha se do ta ndjekë edhe vetë nëse zgjidhet.
“Nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në asnjë çështje. Nuk kemi pasur asnjë ndikim nga drejtuesit e mëparshëm për çështje konkrete. Për këtë mendoj që do të jetë edhe linja ime që do t’i qëndroj”, tha Gokaj.
“Praktikat më të mira të punës së një drejtuesi është puna në grup. Sot pavarësisht se SPAK ka 20 prokurorë, për mendimin tim janë 20 drejtues aty sepse e ka rregulluar ligji dhe kushtetuta. Drejtuesi mund të rrijë vetëm në mbështetje të prokurorëve”, tha ai.
Një nga pikat e dobëta që sheh te vetja ai tha se janë programet kompjuterike që kanë avancuar. Ai u shpreh se me ndihmën e ekspertëve edhe kjo fazë do të arrihet të kalohet në SPAK./kb
