Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar investimin e paralajmëruar prej miliarda paundësh në teknologjinë britanike, një vendim që përbën një goditje për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për qeverinë e kryeministrit Keir Starmer.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e quajtur “e prosperitetit teknologjik”, me vlerë 31 miliardë paund, e cila parashikonte investime të mëdha nga kompanitë amerikane të teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas saj, Microsoft ishte zotuar të investonte 22 miliardë paund, ndërsa Google 5 miliardë paund.
Administrata amerikane ka ndaluar zbatimin e marrëveshjes, duke argumentuar se Britania e Madhe nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm në heqjen e barrierave tregtare në fusha të tjera. Vendimi u raportua fillimisht nga New York Times.
Sipas raportimit, SHBA është e pakënaqur me taksën britanike mbi shërbimet digjitale, e cila prek kompani amerikane si Amazon, Google dhe Apple, si dhe me rregullat strikte të sigurisë ushqimore që kufizojnë importin e disa produkteve bujqësore amerikane.
Zyrtarë të qeverisë britanike janë përpjekur të minimizojnë situatën, duke e cilësuar pezullimin si pjesë të procesit normal të negociatave tregtare. Një burim qeveritar britanik tha se “amerikanët negociojnë fort”, por se Londra do të mbrojë interesat e saj.
Marrëveshja përfshinte edhe krijimin e një zone zhvillimi për inteligjencën artificiale në verilindje të Anglisë, e cila pritej të sillte deri në 30 miliardë paund investime dhe rreth 5 mijë vende të reja pune. Megjithatë, në dokumentin zyrtar theksohej se ajo hynte në fuqi vetëm pas përparimeve konkrete në zbatimin e saj.
Pezullimi përbën një goditje politike për kryeministrin Starmer, i cili e kishte paraqitur marrëveshjen si një sukses diplomatik dhe ekonomik, në përpjekje për të shmangur tarifat ndëshkuese ndaj eksporteve britanike në SHBA.
Starmer ka refuzuar presionin amerikan për të hequr taksën 2% mbi shërbimet digjitale, e cila gjeneron rreth 800 milionë paund në vit për buxhetin britanik. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar më herët me masa hakmarrëse ndaj vendeve që aplikojnë taksa të tilla.
Bisedimet mes dy palëve pritet të vijojnë në muajin janar, ndërsa qeveria britanike ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të forta dhe se palët janë të angazhuara për gjetjen e një zgjidhjeje./K.M
