Rasti i grabitjes së shtëpisë së portierit italian Gianluigi Donnarumma ka marrë një epilog tragjik. Sipas gazetës franceze Le Parisien, një nga autorët e krimit ka kryer vetëvrasje në burg.
Bëhet fjalë për një të ri 21-vjeçar, i identifikuar si një nga të përfshirët në grabitje, i cili i mori jetën vetes më 10 maj 2024 në burgun e Fresnes, në Francë.
Kur rojet e burgut mbërritën në qelinë e tij, e gjetën të varur në hekurat e dritares. Pavarësisht reagimit të menjëhershëm dhe përpjekjeve për ringjallje, përfshirë përdorimin e defibrilatorit, jeta e tij nuk mundi të shpëtohej.
Sipas hetimeve, i riu nuk ishte një nga organizatorët kryesorë të grabitjes, por më tepër një “peng” i përdorur nga drejtuesit e grupit kriminal. Autoritetet hetimore bëjnë të ditur se krerët e bandës ushtruan ndaj tij presion të vazhdueshëm dhe abuzim brutal për disa muaj, duke e shfrytëzuar për realizimin e planeve kriminale.
Rasti u rikthye sërish në vëmendje pas arrestimeve të fundit të anëtarëve kryesorë të bandës, duke hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen që ndodhi në verën e vitit 2023. m.p.
