Last Updated on 17/12/2025 by EL
Parlamenti Evropian ka shprehur mbështetje të fortë për krijimin e një të ashtuquajture “Shengen ushtarak”, një nismë që synon heqjen e kufijve të brendshëm të BE-së për lëvizjen e shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake, në rast kërcënimesh të sigurisë, veçanërisht nga Rusia.
Sipas eurodeputetëve, agresioni rus ndaj Ukrainës ka nxjerrë në pah mangësitë serioze në lëvizshmërinë ushtarake brenda Evropës dhe nevojën urgjente për të përshpejtuar transportin ndërkufitar të forcave, armatimeve dhe aseteve strategjike.
Rezoluta thekson se lëvizshmëria ushtarake është një shtyllë kyçe e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët evropiane, me rëndësi të veçantë për krahun lindor të BE-së, përfshirë vendet baltike dhe Poloninë, të cilat konsiderohen më të ekspozuara ndaj rreziqeve.
Parlamenti mirëpret propozimin e Komisionit Evropian për të rritur buxhetin për mobilitetin ushtarak në mbi 17 miliardë euro në buxhetin e ardhshëm afatgjatë, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të mos e shkurtojnë financimin, siç ndodhi në periudhën 2021–2027.
Eurodeputetët paralajmërojnë se përmirësimi i rreth 500 pikave kritike të infrastrukturës, si ura, tunele dhe hekurudha, mund të kushtojë mbi 100 miliardë euro, duke kërkuar thjeshtim të procedurave dhe më shumë mbështetje për projekte me përdorim të dyfishtë civil-ushtarak.
Rezoluta rekomandon krijimin e një “zone ushtarake Shengen”, me procedura të përbashkëta, zgjidhje dixhitale dhe autorizime të përshpejtuara, në mënyrë që lëvizja e pajisjeve ushtarake brenda BE-së të mos zgjasë më javë apo muaj.
Në të njëjtën kohë, Parlamenti Evropian thekson rëndësinë e bashkëpunimit BE–NATO, duke kërkuar ushtrime të përbashkëta dhe objektivin që forcat e reagimit të shpejtë të kalojnë kufijtë e BE-së brenda tre ditësh në kushte normale dhe brenda 24 orëve në raste krize./e.t
