Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, ka konfirmuar se verën e kaluar refuzoi Juventusin për të marrë drejtimin e Giallorossëve, pasi sipas tij, sfida në kryeqytet ishte “më e vështirë”, ndërsa përballjet me bardhezinjtë mbeten gjithmonë të forta për shkak të cilësisë së lartë që ata posedojnë.
Gasperini foli në një konferencë për shtyp të premten, në prag të ndeshjes së Serie A ndaj Juventusit në “Allianz Stadium” në Torino.
Roma e emëroi Gasperinin trajner verën e kaluar, por në atë periudhë u raportua se Drejtori i Juventusit, Damien Comolli, i kishte ofruar gjithashtu stolin e “Zonjës së Vjetër”. Tashmë, tekniku italian ka shpjeguar arsyen pse zgjodhi Romën dhe jo Juventusin.
“Sepse ishte më e vështirë. Jam i kënaqur me mënyrën se si shkoi gjithçka”.
Ai më pas u ndal te përballja e radhës ndaj Juventusit, duke theksuar rëndësinë dhe vështirësinë e saj.
“Tani na pret kjo ndeshje e rëndësishme. Juventusi mbetet një skuadër e madhe, sigurisht e fortë dhe gjithmonë e aftë të përforcohet. Fitimi është në ADN-në e tyre. Ne vijmë në këtë ndeshje pas një paraqitjeje të mirë ndaj Comos dhe në Glasgow dhe duam ta testojmë veten kundër kësaj skuadre”. m.p.
