Avokati Arianit Koçi ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë duke mbajtur emblema, ngjitëse ose simbole të tjera që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në automjete.
Ai njoftoi se një bashkatdhetar është arrestuar kohët e fundit nga autoritetet serbe për shkak të një embleme të tillë në makinë, teksa shtoi se ky veprim është arbitrar dhe i papranueshëm nga pikëpamja juridike.
“Mos udhëtoni nëpër Serbi me simbole ose ngjitëse të UÇK-së në automjete. Sapo mora informacionin se një bashkatdhetar i yni është arrestuar për këtë arsye, veprim ky i cili është krejtësisht i pabazuar ligjërisht”, deklaroi Koçi.
Ai theksoi se shprehja e identitetit politik, historik apo kulturor nuk përbën vepër penale sipas standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, por në këtë rast, simbolet po shfrytëzohen si një mjet presioni politik. “Raportet ndërmjet shteteve janë aktualisht të tensionuara, dhe çmimin e paguajnë qytetarët e zakonshëm, të cilët rrezikohen nga veprime arbitrare. Bashkëpunimi, informimi i ndërsjellë dhe kujdesi janë mburoja më e mirë për momentin. Prandaj, për sigurinë tuaj, nëse duhet të kaloni tranzit nëpër Serbi, hiqni çdo shenjë të tillë”, shtoi Koçi.
Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e tyre, duke shmangur çdo situatë që mund të çojë në ndalime të paarsyeshme ose konflikte./kb