Nga Leonard Veizi
Më 22 Nëntor, kujtesa shqiptare ndalet përpara atyre që, me penë në dorë dhe me besimin se një popull jeton edhe përmes gjuhës së tij, iu përkushtuan shqipes. Disa shkruan, disa mësuan fshehurazi, të tjerë hapën shkolla e botuan libra, duke e ditur se çdo germë e hedhur në letër ishte një hap drejt vetëdijes kombëtare. Në këtë datë kujtojmë mbylljen e Kongresit të Manastirit, më 22 nëntor 1908, kur pas debatesh e përpjekjesh të gjata, shqiptarët hodhën një gur themeli për njësimin e alfabetit. Ishte një kuvend shkronjash, por në të vërtetë ishte shumë më tepër: një përpjekje për t’i dhënë një zë të përbashkët një kombi që kërkonte të njihej përmes gjuhës së vet….
…Në një shkrim kushtuar alfabetit dhe gjuhës shqipe, përtej rrëfimit historik, do të doja të ndalesha edhe te disa personazhe të kinematografisë shqiptare. Janë personazhe që, përmes dialogëve të tyre, na kanë sjellë në kujtesë një periudhë kur shkronjat nuk ishin thjesht shenja mbi letër, por një çështje e madhe kombëtare. Filma si “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë”, “Liri a vdekje” apo “Mësonjëtorja” e kanë trajtuar këtë përpjekje, duke e kthyer në një përvojë të gjallë njerëzore.
— Or bir, a ke dëshirë të mësosh të shkruash gjuhën tonë? – e pyeste Dhaskal Todri një çoban atje mes malesh.
Dhe ai i përgjigjej:
— Më pyet në do i verbri sy!
Një përgjigje e thjeshtë, por që mbart brenda saj gjithë etjen e një populli për të dalë nga errësira e padijes.
Në filmin “Udha e shkronjave”, një tjetër skenë na sjell përballjen mes Dhaskal Todrit dhe Tunxhit, kur ky i fundit sheh se çfarë kishte transportuar me karvanin e mushkave, pasi Mito Opingari ia kishte lënë në besë mësuesin.
— Kallaj paske sjellë, zoti dhaskal? – e pyet i zhgënjyer Tunxhi.
— Nuk është kallaj. Janë shkronja plumbi.
— Për këto u mundove zotrote deri në Allemanjë?
— Janë flori e shkuar floririt, or Tunxh!
Dhe Tunxhi, pavarësisht emrit që mbante, e kupton se përpara kishte diçka shumë më të çmuar se metali që mund të shitej në treg. Shkronjat nuk ishin thjesht një ngarkesë tjetër e karvanit. Me to do të shkruheshin librat, do të hapeshin shkollat dhe do të këndoheshin këngët e një populli që kërkonte të dëgjohej në gjuhën e vet.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, shqipja ishte një gjuhë e gjallë, me një traditë të pasur gojore e letrare, por pa një alfabet të njësuar. Ajo shkruhej me sisteme të ndryshme: me shkronja arabe, greke, latine, si dhe me alfabete të posaçme të krijuara nga vetë intelektualët shqiptarë. Ndër më të njohurit ishin alfabeti i Stambollit dhe ai i shoqërisë “Bashkimi”. Këto sisteme nuk përputheshin me njëri-tjetrin dhe, në një kohë kur arsimi shqip po përpiqej të fitonte hapësirë, kjo shumësi krijonte vështirësi për botimin e librave, përhapjen e shkollave dhe komunikimin kulturor mes shqiptarëve.
Çështja e alfabetit nuk ishte vetëm një debat mes gjuhëtarësh. Ajo ishte kthyer në një çështje identiteti. Në një Perandori Osmane që e shihte me dyshim përhapjen e arsimit kombëtar, ndërsa në hapësirat shqiptare vepronin edhe ndikime të fuqishme politike e fetare nga jashtë, shkrimi i shqipes merrte një domethënie shumë më të gjerë.
Në filmin “Kush vdes në këmbë”, përmes personazhit të Petro Luarasit, kjo përplasje merr një trajtë të drejtpërdrejtë. Kur jatroi Janulis i shkon në shtëpi, gjoja për ta mjekuar pas një plumbi, por në të vërtetë për ta provokuar, Petroja i përgjigjet me një gjuhë që nuk lë vend për dykuptimësi:
— Ortodoksët janë grekë, myslimanët turq. Po shqiptarët ku janë? Shqiptarë s’ka. Dhe kur nuk arritët qëllimet tuaja me hanxharë, përdorët kryeklerikët që u ngjirën duke lëshuar mallkime kundër gjuhës shqipe. Por nuk na poshtëruat, jo. Na lartësuat. Tani kemi diçka që na nderon më shumë si popull, dëshmorët e gjuhës. Dhe kemi të drejtë të krenohemi!
Fjalët e personazhit përmbledhin një nga dramat e kohës: përpjekjen për ta shkëputur identitetin shqiptar nga përcaktimi vetëm përmes fesë. Shqiptari nuk ishte as më pak e as më shumë shqiptar për shkak se ishte mysliman, ortodoks apo katolik. Gjuha e përbashkët duhej të bëhej një nga urat që i bashkonte përtej këtyre dallimeve.
Dhe për këtë qëllim kishte njerëz që paguanin me jetën e tyre. Mësuesit, botuesit dhe veprimtarët e arsimit shqip përballeshin me ndalime, kërcënime, burgosje e dhunë. Shkolla shqipe nuk ishte thjesht një institucion ku fëmijët mësonin të lexonin. Ajo ishte një hapësirë ku formohej vetëdija kombëtare.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908, në qytetin që sot ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Në të morën pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 kishin të drejtë vote. Ata përfaqësonin klube, shoqëri patriotike dhe komunitete shqiptare nga treva të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kuvend u përfshinë intelektualë, shkrimtarë, mësues, klerikë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
Një nga synimet kryesore ishte gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët për shkrimin e shqipes, në mënyrë që shqiptarët të mos ndaheshin më nga sisteme të ndryshme alfabetike. Pas diskutimeve të gjata, Kongresi vendosi të pranonte dy variante: alfabetin e Stambollit dhe një alfabet të mbështetur në shkronjat latine. Ky ishte një kompromis i rëndësishëm për kohën. Në vitet që pasuan, varianti latin fitoi gjithnjë e më shumë përhapje dhe u bë baza e alfabetit që përdorim sot, me 36 shkronja.
Zgjedhja e shkronjave latine nuk ishte thjesht një çështje praktike. Ajo shprehte edhe orientimin kulturor të një pjese të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare drejt Evropës. Por, mbi të gjitha, alfabeti i njësuar duhej të shërbente si një mjet bashkimi. Një gjuhë, një mundësi e përbashkët për ta shkruar, lexuar dhe mësuar atë, pavarësisht prejardhjes krahinore apo përkatësisë fetare.
Në filmin “Mësonjëtorja”, Petro Nini Luarasi shfaqet si një nga ata njerëz që e kishin kuptuar se një libër shqip mund të vlente më shumë se një pasuri e tërë. Në gjyqin që i bëhet nga autoritetet osmane, të cilat e konsideronin veprimtari subversive mësimin dhe shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe, ai shprehet:
— Si mësues më intereson çdo libër në çdo gjuhë që të më vijë, aq më tepër që qe në gjuhën tonë. Aq më gëzoi kur ma dhanë një libër shqip, sikur më falën një çiflig. Çfarë çifligu, botën tërë. Doja t’u tregoja njerëzve, more, gjithë shqiptarëve, se shkruhet edhe gjuha jonë!
Në këto fjalë gjendet ndoshta një nga arsyet më të forta përse njerëzit e Rilindjes Kombëtare iu përkushtuan aq shumë librit dhe shkollës. Një libër në gjuhën amtare nuk ishte vetëm një mjet mësimi. Ishte dëshmi se një popull kishte gjuhën e vet, mund ta shkruante dhe kishte të drejtën ta mësonte.
Në filmin “Liri a vdekje”, përpjekja për gjuhën shqipe shfaqet sërish si një betejë me kundërshtarë të shumtë. Personazhi i Stefan Bardhit, duke iu drejtuar “koskës” së infiltruar nga klerikë të lidhur me ndikimin grek, thotë:
— Këto janë ato shkronja që duan t’i shuajnë dhe nuk i shuajnë dot armiqtë e vatanit tonë. Për këtë na ndjekin e na shkretojnë.
Edhe këtu, shkronjat shfaqen si diçka që nuk mund të zhduket me kërcënime. Ato mbartin një ide, një përkatësi dhe një të ardhme që nuk mund të ndalet me forcë.
Në një tjetër skenë, xha Hyseni u mëson shkrim e këndim disa nxënësve, në fshehtësi, sepse mësimi i shqipes vazhdon të shihet si një veprimtari e ndaluar. Kur patrulla osmane e kap me libra shqip, komandanti ushtarak Latif efendiu e kërcënon:
— Hysen efendi, Hyqymeti të ka zënë në faj. Do piqemi.
Por xha Hyseni nuk tërhiqet. Përballë nxënësve të tij, ai e di se ajo që po u mëson nuk është vetëm alfabeti. Është e drejta për të mos e humbur gjuhën e tyre.
— Neve nuk trembemi të duam ABC-në tonë. Një komb rron edhe zhvillohet në sajë të gjuhës së vet. Ndryshe, në gjuhë të botës ai tretet.
Kjo ishte, në thelb, edhe arsyeja pse Kongresi i Manastirit pati një rëndësi që shkonte përtej çështjes së shkrimit. Ai nuk e krijoi gjuhën shqipe dhe as nuk e shpiku dëshirën e shqiptarëve për të pasur shkollat e tyre. Por i dha kësaj dëshire një instrument të përbashkët, një alfabet që do të ndihmonte në zhvillimin e arsimit, të botimeve dhe të kulturës kombëtare.
Dhe do ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Stefan Bardhit, përballë një grumbulli njerëzish që prisnin të dëgjonin se çfarë do të thoshte në përballjen me dhespotin e kishës:
— E ngrata Shqipëri, na thirri dhe ne iu përgjigjëm, sepse luftojmë për këtë truall. Kurse hasmi nuk na le të mësojmë as gjuhën tënë. Por ne gjuha e mëmës na ka mbajtur gjallë deri tani. Prandaj, vëllezër, po hapim shkollat tona. Më të shenjtëruar dhe më të lartë kemi qëllim Shqipërinë. Asnjë mallkim nuk e zë atë që punon për mëmëdheun.
Më 22 Nëntor nuk kujtojmë vetëm një alfabet. Kujtojmë ata që e bënë të mundur që shqipja të shkruhej në një mënyrë të përbashkët, të mësohej në shkolla dhe të përcillej nga një brez te tjetri. Shkronjat që u diskutuan në Manastir më shumë se një shekull më parë janë sot pjesë e jetës sonë të përditshme. I përdorim pa menduar se pas secilës prej tyre qëndron një histori e gjatë përpjekjesh.
Dhe ndoshta kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar atë histori: jo vetëm duke e kujtuar një ditë në vit, por duke e shkruar, folur dhe pasuruar gjuhën shqipe çdo ditë.
