Nga Leonard Veizi
Mëngjesi i së premtes, 22 nëntor 1963, u gdhi i kthjellët mbi Dallasin e Teksasit. Dielli binte butë mbi qytetin e mbushur me kureshtarë, ndërsa në ajër kishte një lloj gëzimi të brishtë, atë atmosferë festash që krijohet sa herë një president del para popullit të vet. Në një makinë të hapur “Lincoln”, Xhon Fitxherald Kenedi—i ri, karizmatik, i buzëqeshur—përshëndeste turmat. Në krah të tij, Zhaklina, zonja e parë, e veshur me kostumin e saj të famshëm “Chanel” të kuq, një nuancë aq e gjallë sa dukej se sfidonte vetë dritën.
Para tyre, ulur në sediljen e përparme, guvernatori i Teksasit Xhon Koneli dhe bashkëshortja e tij po shijonin brohoritjet e njerëzve. Kolona lëvizte ngadalë, mes valëvitjesh duarsh e thirrjesh, duke iu afruar dalëngadalë udhëkryqit të rrugëve “Elm” dhe “Houston”. Askush nuk e dinte se aty, mes atyre ndërtesave të zakonshme, fati i një kombi do të ndryshonte përgjithmonë.
Ora shënoi 12:39.
Papritur, një krismë e vetme preu ajrin. Pastaj një tjetër. Pastaj një e tretë. Si të mos mjaftonte tmerri, gjithçka ndodhi në çaste. Trupi i presidentit u drodh, koka iu përkul përpara, dhe ngjyra e kuqe e kostumit të Zhaklinës u përzie me një tjetër nuancë të kuqe—atë të gjakut. Ishin sekonda të ngrira në kohë, të filmuar nga kamerat që ndiqnin kortezhin dhe që më pas do të riluhej pafund, me shpresën naive se ndoshta, në një prej atyre kornizave, misteriozja e së vërtetës do të dilte në pah.
Presidenti u dërgua me urgjencë në “Parkland Memorial Hospital”, drejt Dhomës së Traumës 1. Pak minuta më vonë, zëri i dridhur i gazetarit Uollter Kronkait, duke luftuar me emocionin që i zinte fytin, shpalli fjalinë që askush s’e donte të dëgjonte:
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka vdekur.”
Ishte ora 13:00. Mandati i tij kishte zgjatur 1063 ditë. Dhe epoka e Kennedit, e shndërruar tashmë në mit, sapo kishte marrë fund…

…E konsideruar prej kohësh si “vrasja e shekullit”, goditja vdekjeprurëse që i mori jetën presidentit amerikan vijon ende të endet pa një autor të vërtetë. Zyrtarisht, autor i dyshuar u shpall Li Harvei Osvald — një ish-ushtarak i Korpusit të Marinës, i shqetësuar, kontradiktor në bindje, i cili në një moment kërkoi të hiqte dorë nga nënshtetësia amerikane dhe, i tërhequr pas ideve të majta, shprehu dëshirën të jetonte në Bashkimin Sovjetik. Ishte një profil i çuditshëm për një atentator të një presidenti amerikan, aq më tepër në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Ngjarja
Vetëm pak minuta pas të shtënave në Dallas, Osvald u lokalizua dhe u arrestua jo larg vendit të krimit, në Teatrin e Teksasit. Hetuesit, duke kontrolluar katin e gjashtë të ndërtesës së bibliotekës, gjetën një pushkë – sipas tyre, arma që kishte vrarë Kenedin. Më pas u zbulua se ishte blerë me postë dhe mbante gjurmët e gishtërinjve të Osvaldit. Dosja dukej të mbyllej vetvetiu.
Sipas ekspertëve të qeverisë dhe vëzhguesve të pavarur, një plumb e goditi presidentin pas qafës, i hyri në trup, doli nga fyti, kaloi nëpër shpatullën e guvernatorit Koneli, preku krahun dhe përfundoi në këmbën e tij. Plumbi i dytë, ai fatal, i hyri Kenedit në anën e djathtë të kokës. Koneli mbijetoi, ndërsa Kenedi u shua brenda pak minutash. Ajo që më vonë u pagëzua si “plumbi magjik”, u mbështet nga Komisioni qeveritar “Warren”, duke bindur një pjesë të opinionit, por duke ndezur dyshimet te pjesa tjetër.
Komisioni Warren, pas një hetimi 10-mujor, doli në përfundimin se Osvald kishte vepruar i vetëm. Por sikur historia të mos mjaftonte me kaq, një tjetër akt i mistershëm ndodhi në sy të kamerave: mafiozi Xhek Rubi e qëlloi për vdekje Osvaldin, përpara se ky të dilte në gjyq. Dhe të dielën e 24 nëntorit 1963, në orën 13:00, në të njëjtën dhomë urgjence të “Parkland Memorial Hospital”, mjekët tentuan më kot të shpëtonin jetën e njeriut që kishte qëlluar Presidentin.
Por pyetja që vazhdon të zhurmojë historinë është e vetmja që askush s’e jep dot me siguri:
A ishte vërtet Osvald ai që vrau Kenedin?

Në vitin 1979, në kundërshtim me përfundimet e Komisionit “Warren”, Komiteti i Kongresit Amerikan për Vrasjet deklaroi se Kenedi “ndoshta ishte vrarë si pasojë e një komploti”. Ndërsa pranuan versionin zyrtar që plumbat vdekjeprurës ishin shkrepur nga Osvald, ata identifikuan në një regjistrim audio praninë e një arme të dytë. Për pasojë, dolën në konkluzionin dramatik se kishte “një mundësi të madhe” që dy persona të armatosur të kishin qëlluar njëkohësisht mbi presidentin.
Që prej asaj dite, vrasja e Kenedit ka mbetur një plagë e hapur e historisë amerikane, duke ushqyer teori të pafundme konspiracioni, dyshime të përjetshme dhe skenare që zgjerohen e errësohen si hijet në filmat noir.
Filmi
Rreth misterit të vrasjes së Presidentit amerikan janë shkruar qindra libra, janë mbledhur mijëra dokumente dhe janë ndërtuar një mori teorish. Por në universin artistik, maja më e guximshme e këtij labirinti historik mbetet filmi “JFK” i Oliver Stone, një vepër që hyri në histori jo vetëm si kinema, por si një akt akuzues ndaj versionit zyrtar të ngjarjes. Edhe publiku shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë këtë film, që në vitin 1991 u prezantua si një thriller politik epik, me Kevin Kostnerin në rolin kryesor.
Oliver Stone, gjithmonë i prirur drejt temave të errëta dhe të paqarta të politikës amerikane, krijon këtu një histori ngjethëse, ku faktet dhe dyshimet ndërthuren në mënyrë aq sfiduese, saqë kufiri midis reales dhe të mundshmes nis e tretet. Ai shfrytëzon hapur teoritë konspirative, duke i dhënë publikut një dimension paralel të historisë, një kuadër ku vrasja e Kenedit duket më pak si akt i një njeriu të vetëm dhe shumë më tepër si produkt i një komploti të organizuar, brutal dhe të fshehur thellë.
Filmi ndjek hetimin e prokurorit të qarkut të Nju Orleansit, Xhim Garrison, i cili ishte i vetmi zyrtar amerikan që ndërmori një proces penal për vrasjen e Presidentit. Skenari, i shkruar nga Stone dhe Zachary Sklar, mbështetet te libri i vetë Garrisonit “On the Trail of the Assassins” (“Në gjurmët e vrasësve”), botuar në nëntor të vitit 1988 nga “Sheridan Square”. Garrison, i cili shërbeu si Prokuror i Qarkut në Orleans Parish, Luiziana, nga 1962 deri në 1973, ishte i bindur se Osvaldi nuk kishte vepruar vetëm dhe se prapa atentatit fshihej një ndërthurje interesash shumë më e errët.
Në fund të fundit – siç sugjeron Garrison – vrasësi është thjesht një emër. Shumë më e rëndësishme është struktura që e shtyu atë drejt krimit, dhe ajo strukturë, me sa duket, është e pamundur të zbërthehet plotësisht.
Oliver Stone vetë e përkufizoi filmin si një “kundër-mit” ndaj mitit të ngritur nga Komisioni Warren. Dhe pikërisht kjo qasje e bëri “JFK”-në një film të përfolur, të diskutueshëm, të sulmuar dhe të lavdëruar njëkohësisht. Shumë gazeta të mëdha amerikane publikuan editoriale të ashpra, duke akuzuar Stone për manipulim historik, sidomos për insinuatat se zëvendëspresidenti Lindon Xhonson mund të kishte qenë pjesë e një puçi të heshtur politik.
Në film, Garrison, i interpretuar fuqishëm nga Kevin Costner, zhytyet në një hetim që e çon drejt një komploti të gjerë, ku përfshihen figura të errëta dhe kontradiktore: një grup homoseksualësh me jetë dekadente, të udhëhequr nga biznesmeni i dyshimtë Klei Shou (luajtur nga Tomi Li Xhons), bashkëpunëtorë të ndryshëm të botës së nëndheshme, mafia amerikane, kubanezë të ekstremit të djathtë, CIA, madje deri te vetë presidenti i ardhshëm Lindon Beins Xhonson. Një general i paidentifikuar, i interpretuar mjeshtërisht nga Donald Sutherland, hedh idenë se çelësi i së vërtetës qëndron te roli i kompleksit ushtarako-industrial, një entitet aq i fuqishëm sa që – sipas tij – kishte tejkaluar vetë qeverinë amerikane.
Pavarësisht polemikave të zjarrta, “JFK” u vlerësua gjerësisht për interpretimet e aktorëve, regjinë novatore, muzikën tronditëse të John Williams, montazhin e ritmit frenetik dhe fotografinë brilante. Filmi mori tetë nominime për Oscar, përfshirë çmimin për Filmin më të Mirë, dhe fitoi dy: për Kinematografinë më të Mirë dhe për Editimin më të Mirë të Filmit. U nderua gjithashtu nga Academy Awards, Golden Globes dhe BAFTA, duke u shndërruar në një prej filmave më të rëndësishëm politikë të shekullit të 20-të.

