Nga Leonard Veizi
Në dhjetorin e vonë të vitit 1924, mbi tymin e shtëllungave të zjarrit të luftës civile dhe erërave të ftohta nga malet e veriut, Shqipëria nuk po ndërronte vetëm vitin, po ndërronte epokën. Tirana, ende një qytet me shtëpi balte dhe rrugë kalldrëmi që mbante erë historie otomane, po bëhej dëshmitare e një akti sa modern, aq edhe paradoksal…
…Pas rrëzimit të qeverisë idealiste të Fan Nolit dhe triumfit të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit”, më 24 dhjetor të vitit 1924 Ahmet Zogu u rikthye në kryeqytet jo thjesht si politikan, por si arkitekti i një rendi të ri që do të vuloste fatin e kombit për dekadat në vijim. Shqipëria tentonte të vishte “fustanin” e ngushtë të republikës mbi trupin e një shoqërie ende feudale dhe të fragmentuar.
Legjitimiteti, republika si mburojë
Zogu ishte strateg i hollë. Ai e kuptonte se fitorja me armë ishte e brishtë nëse nuk kthehej në pushtet të ligjshëm. Shpallja e Republikës më 21 janar 1925 nuk ishte thjesht preferencë ideologjike, por një nevojë diplomatike. Duke e shpallur Shqipërinë republikë, Zogu preu lidhjet me të shkuarën dhe mbylli përfundimisht kapitullin e “Princit Vid” dhe pretendimeve të huaja mbi fronin e brishtë shqiptar.
Për sytë e Fuqive të Mëdha, republika tingëllonte si stabilitet dhe progres, pavarësisht se brenda mureve të Parlamentit, liria po tkurrej gradualisht për të legjitimuar pushtetin e një individi.
Kushtetuta: Presidenti me pushtet mbretëror
Argumenti më i fortë i kësaj periudhe qëndron te natyra e Kushtetutës së vitit 1925. Formalisht Shqipëria u bë republikë parlamentare, por në praktikë Zogu krijoi një sistem presidencial absolutist.
Presidenti ishte kryetar shteti dhe kryetar qeverie njëkohësisht, emëronte ministrat, kontrollonte ushtrinë dhe kishte fuqi vetoje mbi çdo ligj.
Zgjedhja për një mandat shtatëvjeçar ishte mesazh i qartë se stabiliteti ishte më i rëndësishëm se rotacioni demokratik. Ky ishte “aksidenti” i parë i rëndë i demokracisë shqiptare — përdorimi i institucioneve republikane për të legjitimuar një dorë të hekurt.
Nga republika te kurora, tranziti i parashikuar
Republika e vitit 1924 rezultoi të ishte vetëm një “stacion pritjeje”. Katër vitet e saj (1924–1928) shërbyen si periudhë pastrimi e opozitës dhe konsolidimi i financave dhe ushtrisë. Kur më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu u shpall “Zog I, Mbret i Shqiptarëve”, ai nuk ndryshonte sistemin, por thjesht i jepte emrin e vërtetë pushtetit që kishte ushtruar që nga dita e parë si president. Republika vdiq pa lindur mirë, duke lënë një precedent të rrezikshëm: institucionet shpesh ndërtohen për t’i shërbyer individit, jo qytetarit.
Mësimi i një shekulli
Gati 67 vjet do të duheshin që titulli “President i Republikës” të rikthehej në vitin 1991, pas natës së gjatë të komunizmit ku pushteti qëndronte fshehur pas kolegjialitetit ideologjik. Historia e vitit 1924 na mëson se format e shtetit – Republikë apo Mbretëri, – janë boshe nëse ato nuk mbushen me frymën e ndarjes së pushteteve.
Ajo që nisi në dhjetorin e vitit 1924 ishte një përpjekje e madhe për shtetformim, por edhe dëshmi se rruga drejt modernizimit në Shqipëri ka qenë historikisht e minuar nga tundimi për pushtet absolut. Republika e Zogut mbetet në kujtesë se ligjet mund të shkruhen bukur mbi letër, por është vullneti për t’i respektuar ato që përcakton nëse një vend është vërtet i lirë apo thjesht një “monarki e fshehur” nën petkun e presidentit.
