Një armëpushim u shpall më 10 tetor. Por pavarësisht se fjala “paqe” është në buzët e liderëve botërorë që atëherë, ne palestinezët vazhdojmë të jetojmë nën rrethim dhe në frikë.
Nga Aya Al-Hattab
Këtu në Gaza e dëgjojmë vazhdimisht fjalën “paqe” – madje edhe më shpesh sesa zhurmën e avionëve luftarakë apo goditjet e artilerisë. Ajo shfaqet në ekranet televizive, në deklaratat e udhëheqësve botërorë, në premtime të përsëritura pa pushim. Çdo shtet pretendon se dëshiron paqe për palestinezët. Por a e kemi jetuar ndonjëherë këtë paqe, qoftë edhe për një ditë të vetme? E vërteta është se jo.
Tani po jetojmë nën një armëpushim – ose të paktën kështu na thonë Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës. Por në Gaza, ne nuk e kemi ndier aspak. Ai u shpall më 10 tetor, mes festimesh të mëdha në Sharm el-Sheikh. Që atëherë, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 360 palestinezë në Gaza, përfshirë rreth 70 fëmijë. Nga shpërthimet që dëgjoj vazhdimisht, ende kam frikë të dal nga shtëpia. Jemi të bllokuar në një labirint të pafund pritjeje: që vuajtja të marrë fund, që jeta jonë të fillojë sërish dhe, mbi të gjitha, që vdekja të ndalet.
Ndërsa liderët botërorë diskutojnë për “ditën pas” dhe finalizojnë planet e tyre të paqes, duke propozuar dhe vendosur për fatin tonë, ne mbetemi në thellësitë e së panjohurës, të mbytur nga frika dhe konfuzioni që ka sjellë lufta. Unë dhe familja ime tani jetojmë me qira në një apartament të vogël dhe të papërshtatshëm. Jeta e përditshme është jashtëzakonisht e vështirë. Uji është i kufizuar, paratë cash janë të vështira për t’u siguruar sepse bankomatet nuk funksionojnë, dhe rrugët janë aq të shkatërruara sa ecja apo ngasja e makinës është e rrezikshme. Nuk ka energji elektrike apo internet të qëndrueshëm dhe nuk ka asnjë ndjenjë stabiliteti apo sigurie.
Shoh familje që jetojnë në shtëpi të shkatërruara, me ndërtesa mbi kokë që rrezikojnë të shemben në çdo çast. Ata nuk kanë zgjedhje tjetër. Gjithçka që duan është një çati mbi kokë, edhe nëse ajo mund të bjerë në çdo sekondë. Dhe tani që është dhjetor, pa shtëpi dhe me jetën të kufizuar në tenda, disa prej nesh janë fjalë për fjalë të zhytur në ujërat e dimrit, në baltë, në çdo kuptim të fjalës.
Përgjatë kufijve të rinj të krijuar në Gaza, aty ku Izraeli ka marrë edhe më shumë nga toka dhe shtëpitë tona, ekziston një kufi i ri i padukshëm që ata e quajnë “vija e verdhë”. Në anën lindore të kësaj vije, shtëpitë shemben çdo ditë dhe njerëzit nuk mund të flenë nga intensiteti i shpërthimeve dhe era e tymit. Dëgjojmë histori se fëmijët që afrohen ose e kalojnë këtë vijë – që askush nuk e sheh – qëllohen. Në fillim të dhjetorit vizitova të afërm në qytetin e Gazës, shtëpia e të cilëve ende qëndron, pranë asaj që quhet “vija e verdhë”. Shtëpia dridhet vazhdimisht nga zjarri i artilerisë dhe nga ajo që ne i quajmë “robotë shpërthyes” – pajisje tokësore të telekomanduara, të mbushura me sasi të mëdha eksplozivi, të afta për të shkatërruar blloqe të tëra banimi. Ata i mbajnë dritaret të mbyllura shumicën e kohës për shkak të tymit nga sulmet përreth, nga frika se ai mund të vijë nga armë me bazë fosfori.
Ne ëndërrojmë për paqen dhe sigurinë që na takojnë me të drejtë, por që tani duket se ekzistojnë vetëm në fantazi. Ndërkohë, në anën tjetër të botës, shtetet diskutojnë nëse duhet të na i japin këto gjëra, sikur të ishin të ndaluara, sikur ne të mos kishim të drejtë për to. Ne kemi mall për realitetet e thjeshta të sigurisë: një shtëpi që nuk do të shkatërrohet, të dashuruar që mund të takohen sërish, ëndrra që mund të realizohen, net pa frikë. Gjëra që shumica e njerëzve në vende të tjera i marrin si të mirëqena.
Kur dëgjova për “armëpushimin” në tetor, u ndjeva e lumtur dhe plot shpresë, duke besuar se do të shënonte fundin e luftës dhe fillimin e një jete të re, të mbushur me siguri dhe paqe. Por ja ku jam në fund të dhjetorit, ende duke pritur për ndonjë ndryshim të vërtetë. Ndërsa kushtet e armëpushimit vonohen në terren, lotët derdhen natën. Pres të shoh të fejuarin tim, dashurinë time, të cilin nuk e kam parë për dy vjet të plota sepse ka qenë tepër e rrezikshme të lëviznim midis Gazës qendrore, ku jetoja unë, dhe pjesës jugore, ku jetonte ai. Ai udhëtoi për në Egjipt në prill 2024 – dhe tani nuk mund të kthehet më, ndërsa unë nuk mund të largohem. Ashtu si shumë gjëra të tjera në këtë luftë, edhe shpresa jonë është vonuar. Duhet të pres më gjatë për të qenë me personin që dua, në paqe. Ky është mundimi i vërtetë i një palestinezi: të presë për të panjohurën dhe të përpiqet të mbahet pas shpresës. Ndonjëherë duket më keq se vdekja.
Këtë muaj, Benjamin Netanyahu tha se faza e parë e armëpushimit është pranë përfundimit. Fatkeqësisht për palestinezët, asgjë nga kjo nuk është shndërruar ende në realitet, dhe ne vazhdojmë të jemi të përjashtuar nga negociatat që flasin për të ardhmen tonë pa ne. Gaza e bukur, ku ëndërrojmë të kthehemi, nuk ekziston më. Përpara syve tanë shohim vetëm rrënoja dhe vuajtje. Bota dhe takimet e saj të pandërprera për të ardhmen tonë nuk kanë prodhuar asgjë që ne mund ta ndiejmë apo ta prekim.
Ne përpiqemi të krijojmë një formë paqeje për veten tonë, edhe nëse ajo është e brishtë apo e rreme. Mbërthehemi pas shpresës, edhe kur ajo duket e hollë, dhe kërkojmë çaste të shkurtra lumturie për t’i mbijetuar kësaj pritjeje vdekjeprurëse. Përpiqemi të rindërtojmë jetën nga hiri, sepse, siç shkroi poeti palestinez Mahmoud Darwish: “Ne e mbartim shpresën si një sëmundje dhe i ndiejmë gjërat thellë.” Në fund, kjo shpresë është gjithçka që na mban në këmbë, ndërsa bota debaton për paqen nga larg.
*Aya Al-Hattab është shkrimtare në Gaza/ Burimi: theguardian.com
