Real Madridi ka zyrtarizuar rikthimin e Jose Mourinhos. Klubi spanjoll njoftoi se bordi i drejtorëve, i kryesuar nga Florentino Perez, ka vendosur t’i besojë trajnerit portugez një kontratë trevjeçare deri më 30 qershor 2029.
Mourinho do t’i bashkohet ekipit më 13 korrik, ditën kur nis faza përgatitore për sezonin e ri. Kjo do të jetë periudha e dytë e tij në krye të Real Madridit, pas eksperiencës së parë nga viti 2010 deri në vitin 2013.
Gjatë mandatit të parë ai fitoi një titull në La Liga, një Kupë Mbreti dhe një Superkupë të Spanjës. Sezoni 2011-2012 mbetet ndër më të suksesshmit për klubin, me 100 pikë të grumbulluara dhe 121 gola të shënuar në kampionat.
Rikthimi i Mourinhos vjen pas dy sezoneve në të cilat madrilenët nuk kanë arritur të fitojnë trofe të rëndësishëm. Tashmë pritet që trajneri portugez të ketë rol të rëndësishëm edhe në lëvizjet e merkatos për sezonin 2026-2027./mxh
