Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një takim me familjen e pengut të fundit izraelit, Ran Gvili, pas mbërritjes së tij në Florida, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump.
Familja e Ran Gvilit udhëtoi së bashku me Netanyahun në fluturimin drejt Shteteve të Bashkuara, një gjest simbolik në prag të bisedimeve të rëndësishme politike që priten të zhvillohen mes dy liderëve.
Takimi mes Netanyahut dhe Trump është planifikuar të mbahet në rezidencën Mar-a-Lago, në orën 13:00 sipas kohës lokale, ose 18:00 me orën GMT. Kryeministri izraelit ka bërë të ditur se në fokus të diskutimeve do të jetë faza e dytë e armëpushimit në Gaza, si edhe situata e sigurisë në rajon, përfshirë Iranin dhe Libanin.
Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimeve në të tre këto fronte. Megjithatë, Izraeli mbetet i shqetësuar se kundërshtarët e tij mund të përfitojnë nga periudha e qetësisë për të rindërtuar kapacitetet e tyre ushtarake, pas dëmeve të konsiderueshme të pësuara gjatë luftës.
Takimi në Florida shihet si vendimtar për koordinimin e mëtejshëm mes Uashingtonit dhe Tel Avivit, në një moment delikat për sigurinë në Lindjen e Mesme./mxh
