Last Updated on 30/12/2025 by Monika
Në prag të festave të fundvitit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e përditshme të punonjësve të sistemit penitenciar.

Në këtë kuadër, Qeveria Shqiptare ka garantuar sigurim jete dhe shëndeti për 4 595 punonjës të sistemit të burgjeve për një periudhë trevjeçare. Ky sigurim ofron mbrojtje shëndetësore dhe financiare, jo vetëm për punonjësit, por edhe për familjet e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo mbështetje nuk përbën thjesht një dhuratë simbolike të fundvitit, por një angazhim afatgjatë për rritjen e sigurisë, mirëqenies dhe dinjitetit të punonjësve që shërbejnë çdo ditë në një nga sektorët më sfidues të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcjellë gjithashtu urimet më të mira për shëndet, paqe dhe suksese në vitin e ri për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar./mxh
