Nga 1 Janari 2026, ka hyrë në fuqi ligji për pagën minimale në vend që do të jetë 50 mijë lekë. Ky vendim i qeverisë prek 307 mijë e 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat.
Sipas vendimit të qeverisë për 9 muajt e parë të zbatimit të pagës minimale, kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi por nga shteti.
Ndaj në buxhetin e shtetit është përcaktuar fondi prej 1 miliard lekësh, për kompensimin e kontributeve të punëdhënësit si rezultat i rritjes së pagës minimale.
Rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore.
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 8.1, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 287.3 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.113, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026./Mxh
