Viti 2025 ndriçoi qiejt me kometën ndëryjore 3I/Atlas. Ky objekt kozmik hyri në Sistemin tonë diellor më 1 korrik 2025, duke u kataloguar si i treti që hyn në zonën tonë.
Me kalimin e pak muajve, kometa e jashtëzakonshme tërhoqi vëmendjen e gjithë komunitetit shkencor dhe opinionit publik botëror për veçantitë e saj, por edhe mbi lëvizjen e afrimin e saj të shpejtë. Në nëntor 2025 arriti një distancë prej 286 mln km nga Toka, dhe në udhëtimin e saj më 19 dhjetor prek pikën më të afërt, prej 269 mln km, pothuajse dy herë distanca Tokë-Hënë.
Observatori i ESA-s, XMM-Newton, arriti ta ndjekë për rreth 20 orë kometën, dhe nga imazhet rezulton se hapësira që e rrethon duket boshtësi, ndërsa Atlas 3I si një burim i ndritshëm. Gazrat që lëshon nga bërthama, duke u përplasur me erën diellore, prodhojnë rreze X përmes ndërveprimit të molekulave të ndryshme. Vëzhgimi i këtij mekanizmi në një objekt që mbërrin nga universi i largët është një rezultat që në aspektin shkencor ka shumë vlerë.
Deri më tani, me akumulimin e vrojtimeve, rezulton se Kometa është objekt kozmik unik, me një përbërje kimike të pazakontë, shumë ndryshe nga kometat e sistemit tonë Diellor. Bishti i saj është mjaft i pasur me dioksid karboni, ndërsa sasia e ujit është e zbehtë. Studiuesit shpjegojnë se një raport elementesh kimike të tillë do të thotë se është krijuar në një mjedis shumë të ftohtë ose kimikisht plotësisht ndryshe nga ai ku kanë lindur kometat lokale.
Gjithashtu janë identifikuar edhe gjurmë monoksidi karboni, avuj atomikë nikeli, ku ky i fundit në formën e gaztë tregon krijimin në procese fizike të pazakonta për njohuritë tona.
Sipas studimeve të deritanishme, Atlas 3I mund të jetë një objekt qiellor ekstremisht antik, i krijuar miliarda vite më parë, dhe i nxjerrë jashtë sistemit planetar të origjinës. Gjatë udhëtimit ekstremisht të gjatë ndëryje dhe univers, sipërfaqja e saj është ekspozuar ndaj bombardimit të rrezeve kozmike galaktike, duke krijuar një shtresë në sipërfaqen e saj plotësisht ndryshe dhe mjaft të evoluar për nga përbërja kimike.
Edhe sjellja fizike që ka kjo kometë ndëryjore është plotësisht ndryshe nga çka kemi njohuri. Reflekton dritën në mënyrë anormale dhe lëshon gazra të lokalizuara nga struktura e saj në mënyrë koherente me një rrotullim të bërthamës çdo 15-16 orë.
Ndër hipotezat e hedhura natyrisht nuk kanë munguar edhe dyshimet nga përfaqësues të komunitetit shkencor dhe me autoritet akademik mbi natyrën e saj aliene, në sensin që është një mjet transporti i një civilizimi jashtëtokësor mjaft të sofistikuar. Hipoteza është shoqëruar edhe me argumentime të mirëfillta, por komuniteti shkencor nuk e ka pranuar këtë tezë dhe janë pozicionuar vetëm në studimin e saj në kohë, gjatë fazës së saj të afërt me Tokën./kb
