Një defekt i rëndë në sistemet e komunikimit radio ka paralizuar totalisht hapësirën ajrore të Greqisë këtë të diel. Problemi teknik ka bërë të pamundur nisjen e avionëve nga aeroportet kryesore, ndërsa ata që janë në fluturim po devijohen ose po tentojnë të ulen përmes procedurave manuale.
Çfarë po ndodh aktualisht?
Nga aeroporti “Eleftherios Venizelos” i Athinës dhe ai i Selanikut nuk po lejohet asnjë nisje e re.
Avionët që ishin në ajër po drejtohen drejt shteteve fqinje ose po detyrohen të presin mbi det derisa të lirohet një hapësirë për ulje.
Situata është kritike pasi sot shënohet një nga ditët me fluksin më të madh të udhëtarëve që kthehen nga pushimet e fundvitit.
Pse ndodhi defekti?
Sipas informacioneve të para, problemi lidhet me qendrat kryesore të kontrollit në Athinë dhe pjesën veriore të Greqisë. Sistemet e vjetruara të radios nuk po lejojnë komunikimin normal mes kullës së vrojtimit dhe pilotëve.
Eksperti i aviacionit dhe piloti i njohur, Grigoris Konstantellos, shpjegoi se në raste të tilla, pilotët ndjekin “procedurat e humbjes së komunikimit”. Ata duhet të rrotullohen mbi aeroport derisa të gjejnë momentin e duhur për t’u ulur, pa ndihmën e sistemeve automatike.
A ka rrezik për përplasje?
Edhe pse situata duket alarmante, ekspertët qetësojnë udhëtarët. Avionët modernë janë të pajisur me sistemin TCAS, i cili bën që avionët “të flasin” me njëri-tjetrin në ajër për të shmangur çdo rrezik përplasjeje, edhe pa ndihmën e kontrollorëve nga toka.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të rikthehet normaliteti, ndërsa Autoriteti i Aviacionit Civil Grek pritet të dalë me një deklaratë së shpejti./kb
