Rreth një mijë skiatorë krijuan një zemër gjigante në dëborë në pistat e Crans-Montana, në Zvicër, në një homazh prekës për 40 personat që humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë që u plagosën në një tragjedi të fundit në këtë resort alpin.
Aksioni simbolik u zhvillua të dielën, më 4 janar, në pistën Bellalui, e njohur për nisjet e garave të Kupës së Botës për meshkuj, përpara se pjesëmarrësit të zhvendoseshin në zonën e afërt të Chetseronit. Ngjarja u organizua nga Shkolla Zvicerane e Skive e Crans-Montana, në bashkëpunim me klubet lokale të skive dhe me mbështetjen e Crans-Montana Tourism & Congress.
Shumica e pjesëmarrësve ishin fëmijë, të cilët fillimisht ishin planifikuar të merrnin pjesë në gara atë ditë. Në vend të konkurrimit, ata zgjodhën të dërgonin një mesazh solidariteti dhe kujtese, duke e shndërruar pistën në një simbol shprese dhe uniteti.
Organizatorët thanë se ky gjest i thjeshtë, por domethënës, u përkrah gjerësisht nga komuniteti alpin dhe u përjetua si një moment reflektimi dhe bashkimi përballë dhimbjes./mxh
