Last Updated on 07/01/2026 by Kesjana
Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e një angazhimi të drejtpërdrejtë në politikë, duke theksuar se politika është pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe e veprimtarisë së saj profesionale.
E pyetur nëse do të përfshihej ndonjëherë drejtpërdrejt në politikë aktive, ajo theksoi se nuk përjashton asgjë, duke përdorur shprehjen “kurrë mos thuaj kurrë”. Megjithatë, Ypi kritikoi spekulimet dhe supozimet publike mbi vendime që, sipas saj, nuk janë marrë.
Ajo e cilësoi absurde mënyrën se si shpesh shoqëria i atribuon individëve vendime apo negociata të supozuara, pa pasur fakte konkrete, duke theksuar se edhe vetë pyetja për këto çështje, në disa raste, është e pabazë.
“Nuk e përjashtoj nga jeta ime sepse unë jam në politikë, unë merrem me politikë.
Unë shkruaj libra që mundohem të kenë ndikim politik, bëj debate politike, shpresoj dhe mundohem që të luaj rolin tim kritik në shoqëri si një qytetare që ka një profesion, shkruan në këtë rast akademinë ose librat ose analizën politike dhe mundohet të japë kontributin e saj në mënyrë sa më të përgjegjshme.
Politikën e kemi të gjithë çdo ditë.
Askush nuk përjashton asgjë. Kurrë mos thuaj kurrë. Nuke përjashtoj. Më duket absurde kur ti nuk ja bën vetes këtë pyetje dhe përballesh me një shoqëri të tërë që e merr të mirëqënë që ky person ka vendosur të pranojë ose të jetë, ose është në negociata etj, kjo për mua është absurde, them që edhe pyetja është absurde”, është shprehur akademikja në një intervistë televizive./Kb
