Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Pendavinji së bashku me kryetarin e Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu dhe me Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Petrika Tollkuçi kanë inspektuar nga afër zonat e prekura nga reshjet në qarkun e Korçës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Pendavinji shkruan se zona e Maliqit ka regjistruar sasinë më të madhe të reshjeve në rang vendi.
Deputeti shkruan se prurjet e mëdha të lumit Devoll dhe Dunavec kanë shkaktuar përmbytje në fushat e Maliqit dhe në fshatrat Orman dhe Sheqeras.
“Situata paraqitet tejet e vështirë në Bashkinë Maliq si pasojë e reshjeve intensive të 24 orëve të fundit.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë Maliq, z.Gëzim Topçiu, dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, z.Petrika Tollkuçi, ndodhemi në terren për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të koordinuar ndërhyrjet e nevojshme.
Sipas Shërbimit Meteorologjik të Ushtrisë, kjo zonë ka regjistruar sasinë më të lartë të reshjeve në rang vendi. Prurjet e mëdha të lumit Devoll dhe Dunavec kanë shkaktuar përmbytje në fushat e Maliqit, si dhe në zonën e Pyllit të Fazanëve, fshatin Orman dhe Sheqeras.
Strukturat e emergjencës civile dhe pushteti vendor janë të angazhuara në terren për monitorim të vazhdueshëm, ndërhyrje të menjëhershme dhe minimizim të pasojave, me prioritet të plotë sigurinë e banorëve”, shkruan Pendavinji./E.T
